SHBA nën “darën” e acarit/ 73 % e vendit e mbuluar nga dëbora! Stuhia ka mbërritur edhe në Meksikë

16/02/2021 20:02

Një stuhi dimri në SHBA ka sjellë me vete erëra të acarta, akull dhe borë në shumë rajone që rrallë herë shohin kushte të tilla moti.

Teksas, një rritje e kërkesës për energji elektrike ka çuar në ndërprerje të shumta të saj. Shteti madje po përgatitet për një tjetër stuhi akulli më vonë gjatë ditës. Shërbimi kombëtar i motit tha se më shumë se 150 milionë amerikanë janë tani nën paralajmërime për stuhi dimri. Të paktën 11 viktima janë shkaktuar nga moti ekstrem.

 Në Karolinën e Veriut ndërkohë, një tornado i shkaktuar nga e njëjta stuhi, shkaktoi tre viktima mëngjesin e të martës.

 Stuhia ka arritur madje edhe pjesët veriore të Meksikës ku më shumë se katër milionë shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike më herët. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka miratuar gjendjen e emergjencës në Teksas, ku janë regjistruar temperaturat më të ulëta në më shumë se 30 vite, me disa zona që kanë regjistruar -18 gradë celcius.

Rrugët e ngrira ndërkohë kanë çuar në një numër aksidente në trafik dhe njerëzit janë këshilluar të evitojnë udhëtimet, atje ku është e mundur.

Sipas raportimeve, mbi 73 për qind e territorit në shtetet e bashkuara është aktualisht e mbuluar me borë ndërkohë që akoma më shumë reshje priten në vijim.

Top Channel