Melania Trump dënon ‘fiksimin e sëmurë’ të mediave me të, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë

16/02/2021 18:59

Ish-Zonja e Parë e SHBA ka reaguar ndaj një lajmi në mediat vendase ku thuhej se ajo nuk donte t’ia dinte për gjyqin e paditjes së Donald Trump. Zyra e saj ka dënuar së fundmi “fiksimin e sëmurë” të mediave me të.

Melania Trump ka qenë objekt i shumë artikujve në media që prej largimit të ish-presidentit nga Shtëpia e Bardhë, ndoshta më shumë se vetë Donald Trump.

Por në llogarinë e saj zyrtare në Twitter u shfaq një reagim ndaj komenteve për lajmin e CNN ku pretendohej se zonja Trump nuk donte t’ia dinte për padinë e dytë zyrtare të bashkëshortit të saj, në të cilën Donald Trump mori sërish pafajësinë.

Zyra e saj tha: “Zonja Trump nuk është më ‘Zonjë e Parë’. Ajo është një qytetar privat, një nënë e një bashkëshorte”.

“Burimet e këtij artikulli nuk kanë të bëjnë asgjë me të, me mendimet e saj apo me jetën e saj private. Gazetari i CNN  ka zgjedhur të publikojë thashetheme të rreme dhe kjo tregon për fiksimin e sëmurë të mediave”.

Presidenti Trump u largua nga zyra muajin e kaluar pas humbjes së zgjedhjeve ndaj demokratit Joe Biden.

Lajmi në CNN thotë se zonja Trump kalonte shumicën e ditëve gjatë paditjes zyrtare të presidentit, në qendrat trupore të rezortit Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida.

Aty shtohej se Melanias nuk i pëlqen të flasë për politikë prandaj nuk është fare e interesuar në procesimet kundër Donald mbi protestën e dhunshme në Kongresin amerikan më 6 janar, ku pesë njerëz humbën jetën.

I ashtuquajturi ‘burim’ i rrjetit CNN thoshte: “Ajo shkon në qendrat e kurimit të trupit, ha drekë, shkon përsëri në qendrat e trupit, dhe më pas ha darkë me Donald në kopësht. Më pas cikli përsëritet çdo ditë.”

Në një tjetër lajm të ngjashëm, CNN shkruante se zonja Trump ishte “xheloze” për popullaritetin e menjëhershëm të zonjës së Parë të re, Jill Biden.

Top Channel