Kryeministri australian kërkon falje publikisht pas akuzave për përdhunim të ish-punonjëses

16/02/2021 16:38
Kryeministri australian Scott Morrison

Kryeministri australian Scott Morrison i kërkoi falje publikisht një ish-punonjëseje të stafit qeveritar pas pretendimeve se ajo është përdhunuar  brenda parlamentit nga një koleg rreth dy vite më parë.

Morrison premtoi hetime mbi ngjarjen dhe frymën brenda kryeqytetit zyrtar të vendit, 1 ditë pasi ish-punonjësja shprehu në media historinë e saj.

Brittany Higgins pretendon se në mars 2019 ajo u përdhunua në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes pas një eventi pune në mbrëmje. Në një intervistë për programin “The Project” të Network 10 në Australi, ajo u shpreh se në momentin e ngjarjes ajo ishte përpjekur të shkonte në shtëpi, por kolegu i panjohur për të insistoi të shkonin në sallën e parlamentit, ku ajo kaloi një gjendje të fikti në një divan.

Sipas Morrison, departamenti i Kryeministrit dhe zyrtarja e kabinetit Stephanie Foster do të hetojnë mënyrën se si ankesat në mjedisin e punës trajtohen.

Ndërkohë që Higgins falënderoi Kryeministrin për deklaratën e tij, ajo shprehu se për vendimin e tij ishte tepër vonë.

“Nuk duhet të merrej historia ime, apo e viktimave të tjera të përdhunimit dhe të transmetohej në televizionet kombëtare nga Kryeministri apo anëtarë të tjerë të Parlamentit që të fillonte veprimi për ngacmimet dhe abuzimet seksuale në mjedisin e punës”, tha Higgins në deklaratën e saj.

Top Channel