Karantinë e detyruar në hotele/ Britani, skema për të ardhurit nga vendet me rrezik

16/02/2021 02:24

Udhëtarët e parë që duhet të qëndrojnë në hotelet e karantinës, kanë mbërritur në aeroportin Heathrow, në londër. Të gjithë qytetarët britanikë dhe irlandezë, si edhe rezidentët në Britani, që mbërrijnë në Angli pasi kanë qenë në një vend që konsiderohet me rrezik të madh kovidi, tani duhet të vetëizolohen në hotele.

Lista e kuqe me 33 shtete, përfshin Portugalinë, Brazilin dhe Afrikën e jugut. Rregulloret e reja, që synojnë të ndalojnë hyrjen e varianteve të covidit në vend, kanë të bëjnë me të ardhurit që kanë qenë në një nga këto vende në 10 ditët e shkuara. Ata duhet të prenotojnë në avancë dhe të paguajnë 1750 paundë ose 2 mijë euro për të qëndruar 10 ditë në hotelet e përcaktuara nga qeveria.

Kostoja përfshin qëndrimin në hotel, transportin dhe testimin. Në Skoci ndërkohë, rregulli për të qëndruar në një hotel aplikohet për udhëtarët nga të gjithë vendet, dhe jo vetëm nga ato që bëjnë pjesë në listën e kuqe. Vizitorët e tjerë nga vendet që janë pjesë e listës së kuqe, e kanë ndërkohë të ndaluar hyrjen në vend sipas rregullave të fundit.

Ata që do të japin informacione të rreme, për të evituar izolimin, përballen me një dënim që shkon deri në 10 vite burg dhe kjo ka ndezur kritika. Qeveria britanike ka nënshkruar kontrata me 16 hotele deri më tani, duke siguruar rreth 5 mijë dhoma afër aeroporteve angleze, me 58 mijë dhoma të tjera rezervë.

Pasagjerët duhet të kenë një test negativ të covidit të tre ditëve të fundit para udhëtimit, dhe të prenotojnë e paguajnë paketën e izolimit para se të nisën për në Britani.

Top Channel