Greqi, faza e dytë e vaksinimit/ Mosha 60-64 vjeç me Astrazeneca dhe 75-79 me Pfizer dhe Moderna

16/02/2021 00:55

Megjithëse vala e motit të keq mbizotëron në pjesën më të madhe të vendit, ajo nuk ka ndikuar në vazhdimësinë e planit kombëtar të vaksinimit kundër COVID-19 që po hyn në fazën e tij të ardhshme.

Në fillimin e kësaj jave kanë marrë përparësinë për tu vaksinuar dy grupmosha: 60-64 me vaksinën e kompanisë Astra Zeneca dhe 75-79 vjeç me vaksinat Pfizer dhe Moderna.

Ashtu si vendet e tjera të Bashkimit Evropian, Greqia ka vendosur të administrojë vetëm vaksinën AstraZeneca për njerëzit e moshës deri në 64 vjeç me arsyetimin se nuk ka të dhëna të mjaftueshme në lidhje me efikasitetin e saj për grupmoshat mbi 65 vjeç. Edhe kjo vaksinë është me dy doza dhe intervali midis tyre është 12 javë.

Gjithashtu prej së hënës ka filluar funksionimi i dy qëndrave të mëdha të vaksinimit në mjediset e ekspozitës Helexpo në Athinë si dhe në qytetin verior të Selanikut. Secila qendër ka dhjetëra stacione vaksinimi dhe është e aftë të kryejë mijëra vaksina në ditë. Vetëm gjatë së hënës u arrit në 750 qendrat e caktuara numër rekord vaksinimesh, mbi 25000 .

Duke filluar prej këtyre ditëve deri në mesin e muajit mars synohet të vaksinohen mbi 270.000 persona me historik të rënduar shëndetësor. Deri tani në Greqi janë vaksinuar mbi 550.000 persona. Ndërkohë dy ditët e fundit kanë humbur jetën 52 persona, numri i të prekurve ka rënë në rreth 700 në ditë, ndërsa të intubuarit janë përsëri mbi 300.

Top Channel