Kjo e hënë nis me një seancë plenare. Deputetja Rudina Hajdari gjatë fjalës së saj jashtë Kuvendit ka folur me tone të ashpra e me akuza të forta ndaj maxhorancës.
Deputetja Hajdari renditi problemet e ditëve të fundit, teksa tha se shqiptarët janë ngopur me gënjeshtrat dhe se ka 30 vite përmbytje ndërsa premtimet ikin kur bie shiu i parë.
Hajdari ka deklaruar se në 30 vite politika jonë bën gosti me taksat e shqiptarëve. Ajo ka folur dhe për situatën e tërmetit duke thënë se ende shumë qytetarë janë në çadra në këtë të ftohtë të acartë.
Rudina Hajdari: Ka një problem shumë të madh, sa herë flasim për ndryshimet klimatike apo ndonjë fenomen natyror sytë e shqiptarëve shkojnë o nga zoti o nga FA sepse shteti ka kohë që nuk funksionon. Kur ra tërmeti shteti nuk kishte as qenë për të ndjerë se cilët ishin nën rrënoja. Është ky shtet që paguan miliona lekë për të ushqyer këta qenë. Edhe sot që flasim ka me qindra banorë që jetojnë në mes të ftohtit dhe acarit. Sa herë bie shi sytë janë nga zoti sepse shteti nuk funksionon. Nga vjeshta e deri në fund të dimrit uji është aty dhe tërhiqet vetëm në pranverë. Rama thoshte dikur se kur ishte Berisha në qeveri, nuk ishte faji i zotit por i robit, ndërkohë që Berisha ka vite që ka ikur dhe Rama është në qeveri dhe uji mbetet aty. 30 vite përmbytje. Pardje patëm ilustrimin e mungesës absolutet të shtetit.
Kur do ngopeni? Keni 30 vite që ju bëni gosti me taksat e shqiptarëve. Sa taksa janë paguar nga shqiptarët për infrastrukturën do mjaftonin të ndërtonim një autostradë nga poli i veriut në polin e jugut. Sa taksa kanë paguar shqiptarët në 30 vite do mjaftonin të kishin një flotë me borëpastruese, që do e kishin zili i gjithë rajoni. E ne mezi kemi disa që i marrim borxh nga kompani private. Sa taksa kanë paguar shqiptarët në 30 vite do ndihmonin që të kishim energji elektrike pa ndërprerje. Shqiptarët paguajnë taksa e nuk marrin shpërblime.
E kam një përgjigje. Mendoj se nuk do ngopeni ndonjëherë, po kam shumë besim te shqiptarët që janë ngopur me gënjeshtrat. Me tiganin e zjarrtë të Lulit dhe me ulërimat e Ilirit. Jeni në fund të karrierës politike. Ajo që po ndodh në Kosovë do ndodhë dhe në Shqipëri. Ne nuk do lodhemi!
Top Channel