Ralf Gjoni ngre tonet në Parlament: Kosova na bëri që të na skuqet faqja, këtu fle djalli tek ligjet

15/02/2021 11:03

Deputeti Ralf Gjoni ka ngritur tonet në parlament duke kujtuar zgjedhjet në Kosovë, për të cilën thotë se ka bërë shqiptarët që t’i skuqet faqja pasi bëri zgjedhje të lira pa asnjë incident.

Në fjalën e tij theksoi se ata numëruan votat brenda ditës, shpallën fituesit ndërsa humbësit e pranuan humbjen. Nuk munguan akuzat ndaj Lulzim Bashës, për të cilin thotë se ra dakord për t’i bërë dhuratë mandatin e tretë Edi Ramës.

Ralf Gjoni: Populli nuk ka besim tek strukturat shtetërore, nuk ka shpresë se mund të ketë dritë në fund të tunelit. Unë besoj se djalli fle në detaje, tek ligjet, legjislacionet. Marr shkas që të hedhim sytë nga Kosova. Kosova na ka bërë që të na skuqet faqja, na ka bërë me turp në Shqipëri. Një vend që nuk është njohur ende, pa monitorim ndërkombëtar arrin të bëjë zgjedhje të lira, të barabarta, pa asnjë incident, numëron votat brenda ditës, shpall fituesit, humbësit pranojnë humbjen dhe ne sot në Shqipërinë, në vitin 2021 nuk jemi në gjendje të themi se vota e shqiptarëve numërohet.

Është e turpshme se si Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, i cili nuk mund ti sigurojë votën zgjedhësve të tyre. Me dinakëri e pisllëk, ju u bëtë bashkë për të çbërë ndryshimet kushtetuese të korrikut dhe për të masakruar kodin zgjedhor vetëm që të mbanit në krye të PD, Luli Bashën dhe në kthim, dhurata nga Luli është mandati i tretë i Edi Ramës. Kjo ishte shkelja e syrit antishqiptare, kjo ishte marrja vesh e aktorëve kryesorë të establishmentit. Nuk është e mundur që ne sot në 2021 duhet të flasim në Parlament për të drejtën e votës. Vetëm hapja e listave dhe numërimi i votës nga një administratë e depolizitizuar ishin kushtet që ju vuri Lul Basha.

Dy kushte kishit nga Lul Basha, të numërohen votat nga komisionerët tanë dhe të mos hapen listat për të nënshtruar kandidatët tuaj dhe popullin shqiptar nën thundrën e keqe të këtij establishmenit. Rezultati është që po vëmë kryqin tek ato kuti me fabula imagjinare. Ne sot sulmojmë Edvin Priftin, por kjo shoqëri përballet me një prej kardiologëve më të mirë në Shqipëri për ta çnderuar dhe për të humbur një më të mirët që ka shëndetësia shqiptare. Pse kaq e pamundur është që të ketë 250 mijë euro cash, ku është krimi këtu?

Top Channel