Arrestimet, prania e shtuar policore nëpër rrugë dhe autoblindat nuk i kanë ndaluar protestuesit në Mianmar të dalin sërish nëpër rrugë.
Mijëra punëtorë u mblodhën në Mandalai, qyteti i dytë më i madh i vendit, duke kënduar dhe mbajtur pankarta në të cilat shkruante: “Lironi udhëheqësit tanë”.
Në qytetin më të populluar të vendin, Yangon, u raportua për një prani më të vogël të protestuesve, kryesisht për shkak të kufizimeve në internet dhe pranisë ushtarake. Numri I lartë I ushtareve nëpër rrugë është parë si një sinjal i qartë se goditja ndaj kundërshtarëve të grusht shtetit, të ndodhur në 1 shkurt, mund të vazhdojë.
Ushtria e Mianmarit i ka paralajmëruar protestuesit në të gjithë vendin se mund të përballen me 20 vjet burg nëse pengojnë forcat e armatosura.Gjatë 10 ditëve të fundit qindra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protesta, duke kërkuar rikthimin e një qeverie civile dhe lirimin e liderëve të burgosur të vendit. Grushti i shtetit I zemëroi aq shumë banorët e Mianmarit, sa u bë shkas për protestat më të mëdha popullore atje prej më shumë se një dekade. Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadat e vendeve perëndimore u bënë thirrje forcave të sigurisë të “frenohen nga dhuna kundër demonstruesve dhe civilëve, të cilët protestojnë për përmbysjen e qeverisë së tyre legjitime”.
Top Channel