Zgjedhjet në Kosovë/ Qytetarët e liderët e partive u drejtohen qendrave të votimit! Deri në orën 13:00 votuan 19.8% e qytetarëve

14/02/2021 06:58

Një milion e 794 mijë e 862 votues me të drejt vote, prej tyre 49 mijë e 198 votues për herë të parë, sot vendosin për përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe Qeveri.

Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.

Qytetarët me të drejt vote do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2382 vendvotime. Ndërkohë, 88 prokurorë do të jenë të angazhuar ditën e zgjedhjeve në nivel vendi, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe ligjor. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtarë kujdestarë për ditën e zgjedhjeve.

Gjatë ditës së zgjedhjeve subjektet politike, ojq-të dhe qytetarët që mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur mund të paraqesin ankesat në Panelin Zgjedhor në afatin prej 24 orëve nga mbyllja e qendrës së vendvotimit. Demokracia në Veprim do të ketë500 vëzhgues të cilët do të jenë në qendra të votimit, të vendvotime të ndryshme.

Ndërkohë, shefi i zyrës së BE dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse, u kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t’i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit.

Gjithashtu, kanë inkurajuar qytetarët e Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke i respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.

“BE ka dërguar një mision të ekspertëve të zgjedhjeve (EEM) në Kosovë që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë fazën e ankimimit. EEM do ta përgatitë një raport për zgjedhjet duke përfshirë rekomandimet se si të përmirësohet dhe forcohet më tej procesi zgjedhor”, thuhet në një komunikatë të përbashkët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA