Senati: Trump i pafajshëm/ Bie akuza për nxitje rebelimi të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve

14/02/2021 03:17

Senati amerikan votoi të shtunën për ta shpallur të pafajshëm ish-Presidentin Donald Trump nën akuzën për nxitje rebelimi të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Senati votoi me 57 vota për ta shpallur ish-presidentin fajtor dhe 43 jo fajtor. Meqenëse në një gjyq në Senat kërkoheshin 67 vota, ose dy të tretat për fajësimin, ish-Presidenti Trump u shpall i pafajshëm.

Shtatë republikanë u shkëputën nga radhët e grupit të tyre dhe votuan pro fajësimit. Është hera e dytë në 12 muaj që Trump i mbijeton një gjyqi në Senat kundër tij. Demokratët synonin që ai të mos lejohej të kandidonte përsëri për një post publik.

Ish Presidenti Donald Trump tha se gjyqi në Senat kundër tij ishte një fazë tjetër e “gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e vendit”.

Top Channel