Amir Rrahmani vendimtar në ndeshjen e tij të parë si titullar në Serinë A me fanellën e Napolit, pikërisht ndaj skuadrës kampione në fuqi, Juventusit. Mbrojtësi “dardan” fitoi 11-metërshin që e shndërroi në gol Lorenzo Insigne, përcaktues për fatin e këtij takimi.

26-vjeçari ia shpërblen besimin trajnerit Gattuso, që në fakt ishte i detyruar ta aktivizonte shqiptarin për shkak të emergjencës në mbrojtje, si rrjedhojë e dëmtimeve të shumta (Koulibaly, Manolas, Ghoulam dhe Hysaj). Një fitore shumë e rëndësishëm për Napolin, që shërben edhe si bonus për trajnerin Gattuso, i vënë në shënjestër nga presidenti De Laurentiis pas dështimeve me Genoan në Serinë A dhe Atalantën në Kupën e Italisë. Në fakt, meritë të padiskutueshme kishte edhe portieri Meret, që në disa raste reagoi në mënyrë të shkëlqyer, duke u mohuar golin Cristiano Ronaldos apo Alvaro Moratas.

Episodi që vendosi takimit ndodhi në minutën e 28-të, teksa në zhvillimet e një goditjeje të lirë, Chellini goditi Rrahmanin, që po tentonte të finalizonte me kokë. Fillimisht kryesori sinjalizoi për vijimin e lojës, por më pas, i kontaktuar nga zyrtarët në dhomën e VAR-it, vendosi të shihte pamjet e përsëritura, Daniele Doveri tregoi nga pika e penalltisë, ndërsa mbrojtësit veteran bardhezi i tregoi kartonin e e verdhë. Penalltinë e mori përsipër Lorenzo Insigne, që realizoi një gol historik, atë numër 100 me fanellën e Napolit.

Gjatë pjesës së dytë, Juventusi bëri gjithçka për të shmangur humbjen, por edhe fati ishte në anën e Napolit në këtë ndeshje, pasi tentativat e miqve ose përfunduan jashtë ose u neutralizuan nga Meret.

E kuptueshme festa e napolitanëve pas vërshëllimës së trefishtë të Doverit, teksa të gjithë lojtarët përqafuan Gattuson, si për të treguar se trajneri ka mbështetjen e skuadrës dhe se pozicioni i tij nuk duhet të vihet në dyshim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA