Gjyqi në Senat rikthen vëmendjen tek terrorizmi i brendshëm

14/02/2021 04:55

Ndërsa gjyqi ndaj ish-Presidentit Donald Trump i afrohet fundit, po rikthehet vëmendja ndaj rrezikut nga supremacistët e bardhë dhe grupet e tjera që sulmuan muajin e kaluar Kapitolin e Shteteve të Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara shqyrton sfidat e vendosjes së ekuilibrit të duhur midis shqetësimeve të sigurisë dhe lirive civile përballë kërcënimit në rritje të terrorizmit në vend.

Demokratët nënvizuan kërcënimin në rritje të terrorizmit të brendshëm gjatë gjyqit të ish-Presidentit Donald Trump, pas sulmeve vdekjeprurëse të 6 janarit ndaj Kapitolit. “Agjensitë tona të zbulimit konfirmuan se përveç këtyre kërcënimeve specifike, sjellja e Presidentit Trump inkurajoi po ato grupe të dhunshme që filluan sulmin dhe nxiti koalicione të reja të dhunshme”, tha ligjvënësja demokrate, Diana DeGette.

Janë ngritur akuza ndaj qindra personave për rolin e tyre në trazirat, për hyrjen e dhunshme dhe shkelje të rregullave, si dhe për sulmet ndaj punonjësve të organeve të zbatimit të ligjit. Por asnjë nuk është akuzuar për terrorizëm të brendshëm, pasi nuk ka një ligj specifik që i penalizon ata. “Kjo është një temë e mirë për t’u debatuar në Kongres. Por tani, ne duhet të përqendrohemi tek ligjet që kemi. Dhe ligjet ekzistuese që kemi, shumë ligje që janë përdorur për të ndjekur penalisht njerëzit që kryen trazirat në Kapitol më 6 janar, janë të mjaftueshme. Pavarësisht nëse janë ligje për vrasjen apo përdorimin e lëndëve eksplozive, apo ligjet për armët”, thotë ish-prokurori Conner Eldridge.

Pas sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara forcuan ligjet dhe përmirësuan mekanizmat për mbledhjen dhe ndarjen e të dhënave të zbulimit për të parandaluar kërcënimet e huaja. Pak ditë pas marrjes së detyrës, Presidenti Joe Biden udhëzoi rishikimin e mekanizmave për t’u përballur më mirë me ekstremizmin e dhunshëm në vend. “Rishikimi do të bëhet gjatë 100 ditëve të para, kështu që ende nuk ka ndonjë përditësim për këtë. Por sapo të kemi konkluzione, jam e sigurt se do t’i bëjmë të ditura detajet”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Mbikëqyrja e tepërt e komuniteteve myslimane pas 11 shtatorit ka nënvizuar një nga sfidat për t’iu përgjigjur kërcënimeve terroriste – si të shmanget tejkalimi i pushtetit të qeverisë dhe të vendoset ekuilibri i duhur ndërmjet shqetësimeve të sigurisë dhe lirive civile.

“Duhet të sigurohemi që të mos shtrihemi aq shumë sa të përfshijmë të gjitha llojet e aktiviteteve që nuk kemi nevojë t’i përfshijmë. Së dyti, strategjitë tona të jenë me të vërtetë të qarta për llojet e dhunës që me të vërtetë duam të luftojmë”, thotë Faiza Patel, nga Programi i Lirisë dhe Sigurisë Kombëtare i Qendrës “Brennan”.

E drejta e amerikanëve për t’u bashkuar me grupet e urrejtjes si “Proud Boys” (Djemtë Krenarë) dhe Ku Kluks Klani, konsiderohet si pjesë e të drejtës për fjalën e lirë dhe organizimin, të parashikuara në Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane./VOA

Top Channel