Sulmi në Capitol i planifikuar/ Avokatët e Trump: Një grup i vogël drejtoi turmën

13/02/2021 02:22

Avokatët e ish-presidentit Donald Trump nisën të paraqesin argumentat e tyre se përse akuza ndaj tij për nxitjen e trazirave vdekjeprurëse të muajit të kaluar në Kapitol të SHBA duhet rrëzuar.

Sipas tyre, i gjithë gjyqi nuk është në fakt asgjë më tepër sesa një hakmarrje politike nga demokratët. Avokatët thanë se retorika e tij ishte e mbrojtur nga garancia e fjalës së lirë të Kushtetutës amerikane dhe se prokurorët nuk kishin arritur të vërtetonin një lidhje të drejtpërdrejtë të veprimeve të protestuesve me fjalimin e Trump.

“Për fat të keq, siç e dimë tashmë, në 6 janar një grup i vogël që u përfshirë në një sjellje të dhunshme dhe kërcënuese, ishte praktikisht ai që rrëmbeu vëmendjen për arsyet e veta. Fakti se këto sulme ishin planifikuar tregon edhe një herë sesa qesharake janë akuzat e ngritura ndaj ish- president. Dikush nuk mund të nxisë diçka që ishte përgatitur të ndodhte, u shpreh juristi Michael van der Veen.

Avokatët e Trump thanë se u nevojitej vetëm një ditë për të paraqitur çështjen e klientit të tyre në gjyqin para Senatit amerikan. Ata e ndërtuan strategjinë e mbrojtjes pa ndonjë dëshmi nga ish-presidenti, i cili ka refuzuar të marrë pjesë në gjyq.Mbrojtja pason një prezantim dy-ditor nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që lidhën retorikën e ish presidentit Trump në tubimin e 6 janarit me veprimet e turmës që sulmoi Kapitolin menjëherë pas fjalimit të tij në përpjekje për të bllokuar çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Top Channel