Draghi betohet sot si Kryeministër/ Paraqet anëtarët e kabinetit, Di Maio qëndron ministër i Jashtëm

13/02/2021 01:55

Mario Draghi, ish-kreu i Bankës Qendrore Europiane i lavdëruar si njeriu që shpëtoi eurozonën nga kriza, konfirmoi se është gati të formojë qeverinë e re të Italisë dhe prezantoi kabinetin e tij, i cili është praktikisht një përzierja teknokratësh e politikanësh prej një koalicioni me bazë të gjerë.

Presidenti i republikës, Sergio Mattarella i kërkoi Draghit të bëhej kryeministër pas rrëzimit të ekzekutivit të mëparshëm, duke i vendosur detyrën të trajtojë me përparësi emergjencën shëndetësore të koronavirusit dhe ngërçin ekonomik.

Pas një jave konsultimesh të gjata, pothuajse të gjitha partitë kryesore nga i gjithë spektri politik u zotuan ta mbështesin Draghin, dhe figura të shquara të spikatura të këtyre forcave politike kanë marrë portofole ministrore. Kështu Luigi Di Maio, kreu i Lëvizjes 5-Yje, do të mbetet ministri i jashtëm, ndërsa Giancarlo Giorgetti, një figurë e lartë e Legës, do të jetë ministri i industrisë.

Andrea Orlando, nga Partia Demokratike e Qendrës së Majtë, merr ministrinë e punës. Sakaq, disa poste jo më pak të rëndësishme i kaluan teknokratëve si Daniele Franco, drejtori i përgjithshëm i Bankës së Italisë, i cili u emërua ministër i ekonomisë dhe Roberto Cingolani, një fizikan dhe ekspert IT, të cilit iu dha roli i ri i ministrit për tranzicionin e gjelbër.

Draghit i është njohur gjerësisht merita e shpëtimit të zonës së monedhës së përbashket nga kolapsi në 2012-tën. Ai ishte tërhequr nga jeta publike kur mandate i vet ne krye të BQE-së përfundoi tetorin e 2019, por emri i tij u shfaq si një kryeministër i mundshëm javët e fundit pasi trazirat politike në vend, të kombinuara me krizën shëndetësore dhe emergjencat ekonomike, formuan stuhinë e përsosur për rrëzimin e qeverisë Conte.

Top Channel