Ditëlindja e 104-ërt e Musine Kokalarit njërës prej disidenteve të para shqiptare u përkujtua edhe këtë vit në Gjirokastër me disa aktivitete modeste.
Një këngë e titulluar “Ditëlindja e burgosur” ishte ajo që përkujtoi dhe memorizoi këtë përvjetor të veçantë.
“ E veçanta në këta përvjetorë është rikthimi në kompozimin e parë që është bërë për Musinenë i këngës “Ditëlindja e burgosur” i këngës që lidhet pikërisht me ato ditëlindjet e rinisë së saj që ajo i kaloi në burgjet komuniste.”
Ky përvjetor përkoi edhe me 75 vjetorin e burgosjes së saj si dhe me 50 vjetorin e daljes së saj nga burgu. Ishte një periudhë e gjatë por ajo nuk la asnjë dëshmi të pamjes së saj fizike por shumë dëshmi të mendimeve dhe shkrimeve të saj.
Shtëpia e Musinesë është mes disa shtëpive të mëdha të djegura dhe të degraduara në Gjirokastër. Vite më parë ambasadori Withers sugjeroi që pikërisht ky vend të kthehej në një muze të luftës së ftohtë.
“ Ajo që është më e veçanta është ambjent, është një copë e jetës sa saj, shtëpia e fëmijërisë dhe besoj se në kuadër të këtyre përvjetorëve që përmendëm, ndoshta zgjohet vëmendja drejt ruajtjes së një vlere të dyfishtë, vlerës së trashëgimisë arkitektonike të Gjirokastrës, por e ndërthurur me vlerën e trashëgimisë historike, sepse flasim për një nga figurat emblematike shqiptare, disidentja e parë, shkrimtarja e parë dhe politikania e parë shqiptare.”
Gjirokastra mbart ende memorien e djegies së tre shtëpive të mëdha të qytetit, ajo e Kadares, shtëpia e Hysen Hoxhës dhe e Musine Kokalarit. Ndërsa të degraduara janë shtëpia e Hasan Xhikut patriotit që ngriti flamurin e pavarësisë në Gjirokastër, shtëpia e Eqrem Çabejt, shtëpia e Bule Naipit por edhe shtëpia e familjes Topulli që është lënë në harresë prej dekadash.
Top Channel