Dhuna gjinore/ Vrasja e 18 vjeçares nga ish-i dashuri polic pas lirimit nga gjykata, ngre alarmin për fenomenin e rëndë të (fotot)

13/02/2021 16:42

Një vajzë e re është vrarë nga ish-i dashuri i saj polic, i cili u la i lirë nga gjykatat në Argjentinë.

18 vjeçarja Úrsula Bahillo, u gjet e vrarë me thikë pranë qytetit të saj të lindjes Rojas, në Argjentinë më 8 shkurt.

Ish-i dashuri i saj oficer policie  Matías Ezequiel Martínez, 25 vjeç, u gjet ulur në një makinë me një plagë që kishte shkaktuar vetë. “E dhjeva!” raportonin mediat lokale se ai i kishte thënë policisë.

E përditshmja Ladiaria shkruante se Bahillo kishte depozituar të paktën tre ankesa për dhunë gjinore kundër ish-partnerit të saj, i fundit prej të cilëve disa ditë para vrasjes mizore.

Viktima e shoqëruar nga nëna e saj Patricia Nassutti, kishte informuar autoritetet fillimisht më 9 janar, më pas më 28 janar dhe herën e fundit më 5 shkurt.

“Nuk e besoja se do të kisha denoncuar dikë për dhunë gjinore. Dua që kjo të jetë hera e fundit, “kishte shkruar adoleshentja në Twitter.

Ajo më tej kishte kërkuar një mjet alarmi për lajmërimin e policisë, i cili u aprovua dhe iu dërgua vetëm pas vdekjes.

“Jam shumë e trishtuar. Ai më tha se do të më vrasë, nuk duroj dot më,” kishte thënë ajo në një mesazh për një shoqen e saj.

“Ai më kërcënon se do të më vrasë. Prandaj jam e tmerruar,” thoshte ajo më tej.

Familja e saj e kishte kuptuar se e bija ishte një viktimë abuzimi dhe kishin dhënë alarmin se do të përfundonte e vdekur nga polici maniak.

Vrasësi Martinez kishte shkelur disa herë urdhrin e kufizimit ndaj Bahillo, ndërsa më 8 shkurt ishte informuar për akuzën ndaj tij dhe pasojat. Disa orë pas kësaj polici i fiksuar kishte vrarë adoleshenten fatkeqe Bahillo.

Martinez u arrestua në vendngjarje dhe aktualisht po trajtohet në spital për një plagë thike në bark.

E përditshmja Sumario Noticias shkruante se ai kishte goditur me thikë viktimën 15 herë në kurriz, në gjoks e në qafë.

Ndaj tij ishin depozituar edhe më herët akuza dhune fizike e seksuale nga një tjetër e dashur.

Top Channel