Veliaj në Njësinë 10: Nga errësira doli në dritë, sot duket si përrallë nga e kaluara!

12/02/2021 12:55

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vijoi turin e tij në Njësinë 10, prej nga ku, së bashku me deputetin Fatmir Xhafaj, iu kujtoi banorëve të zonës se vetëm 5 vite më parë, kur në krye të bashkisë ishte Lulzim Basha, lagjet ishin në errësirë të plotë, mungonin pusetat dhe era e plehrave kundërmonte.

“Kur filluam punën, Njësia 10 ishte e gjitha një landfill i madh. Në 80% të njësisë nuk kishte kapakë pusetash. Në Rrugën e Kavajës ishin prerë të gjitha pemët, thyer të gjitha poçat, 90% e lagjeve ishte në terr, m’u në zemër të Tiranës, plehrat mullar. Sot na duket si përrallë nga e kaluara, është dita me natën. Por, ky transformim vjen nga etja jonë për të bërë më shumë punë dhe për të ecur përpara”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tha se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të të jepet mundësia të transformosh shkollat, kopshtet dhe terrenet sportive të qytetit.

“Unë jam rritur tek Njësia 10. Kënaqësia që të jep mundësia për të ndryshuar shkollën tënde është e paimagjinueshme. Kënaqësia kur rregullon fushat e tenisit, kopshtet dhe çerdhet, është e paimagjinueshme, sepse është dita me natën me ato kopshtet e zaptuara që trashëguam”, u shpreh ai.

Kreu i bashkisë së kryeqytetit, njeherësh drejtues politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, tha se PD, e cila në 4 vite që drejtoi Tiranën, nuk ka asnjë punë të shënuar në CV, kurse sot kërkon të na rikthejë edhe njëherë në këto kohë të errëta.

“Ne po promovojmë fituesit tanë dhe po e mbushim skuadrën tonë me fitimtarë, ata po shkartisin humbësit. E hoqën Joridën, se humbi te Bushati në Njësinë 8. E kanë sjellë tani tek Fatmiri, në Njësinë 10, sepse mendojnë që njerëzit harrojnë që ishin në krye të Bashkisë së Tiranës. Fakti që i shkartisin humbësit, që mos merren vesh ku i kanë CV-të e tyre të dështimeve, do të thotë shumë. Nuk prodhojnë dot fitues se nuk kanë një rekord të punëve. Jo vetëm kaq, por i lënë dhe punët përgjysmë. Të thuash që do të kthehet prapë administrata e ish-Bashkisë që vodhi 80% të pusetave, parti që humbet pushtetin dhe do të kapë zyrat, siç ndodhi me SHQUP-in, është skandal”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA