Sfidojnë lartësinë në dëborë/ Suedi, pastruesit profesionistë të çative, në aksion…

12/02/2021 14:53

Me reshje të rregullta bore në javët e shkuara, zogjtë në çatitë e shtëpive në kryeqytetin suedez, ia kanë lënë vendin një ushtrie pastruesish, që largojnë borën prej tyre në emër të sigurisë.

Duke u përpjekur të jenë të kujdesshëm, në qoshen e një çatie 10 metra mbi tokë, Andrei Plian dhe Alex Lupu, pastrojnë një shtresë të trashë bore nga një ndërtesë, në pjesën historike të Stokholmit, ndërsa kolegët e tyre në rrugë, poshtë, paralajmërojnë kalimtarët.

Edhe pse për shumëkënd, kjo mund të jetë pak e rrezikshme, për Plian dhe Lupu, dy pastrues profesionist çatish, puna i jep edhe një mundësi për të admiruar panoramën.

Të siguruar me litarë dhe pajisje të tjera sigurie, ai hedh edhe hapat e fundit në një shkallë të lidhur me çatinë dhe thyen heshtjen e këtij mëngjesi shkurti me një goditje lopate mbi çati. Pastrimi i vazhdueshëm i çative në qytet, bëhet kryesisht për arsye sigurie, por edhe për të mirëmbajtur ndërtesat, pjesa më e madhe e të cilave janë 100-vjeçare. Nëse ka shumë borë mbi çati, atëherë ajo mund të shembet.

Sipas ligjit në Suedi, pronarët janë përgjegjës për pastrimin e borës dhe akullit nga ndërtesat e tyre nëse ajo rrezikon të bjerë dhe të lëndojë ndokënd. Por aksidentet janë të rralla. Në një rast, në 2002, një 14-vjeçar kishte humbur jetën pasi ishte goditur nga një copë akulli që u shkëput nga një ndërtesë në Stokholm, por siç rrëfejnë këta dy pastrues profesionistë çatish, incidentet, edhe kur ndodhin, kanë kryesisht pasoja të lehta.

Top Channel