Me grumbullime të mëdha të qytetarëve dhe pa respektim të masave anti Covid partitë politike në Kosovë mbyllen fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.
Vëzhguesit i kanë kritikuar partitë për standarde të dyfishta në zbatimin e masave kundër koronavirusit ndërsa kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e rritjes së numrit të të infektuarve pas zgjedhjeve, thotë VOA.
Sipas vendimit të fundit të qeverisë së Kosovës për masat kundër Covid-19, nuk lejohen grumbullime të më shumë se 50 personave në mjedise të mbyllura ndërsa në hapësira publike jo më shumë se 80 persona.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se tashmë ky komision është i gatshëm për ditën e zgjedhjeve ndërsa u bëri thirrje pjesëmarrësve që t’iu përmbahen ligjeve të vendit dhe të mos keqpërdorin procesin zgjedhor.
Zgjedhjet e 14 shkurtit përveç formimit të qeverisë duhet të krijojnë mundësinë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një proces që kërkon mbështetjen e dy të tretave të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.Për këtë post kandidaturën e kanë shpallur Vjosa Osmani që është në koalicion me lëvizjen Vetëvendosje dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Vëzhguesit thonë se zgjedhja e presidentit të ri do të jetë e vështirë për shkak të numrave të kërkuar ndërsa e shohin partinë e Ramush Haradinaj si çelës për këtë sfidë dhe për këtë arsye partia e tij nuk ka fare kandidat për postin e kryeministrit.28 subjekte politike nga të cilat 21 parti, dy koalicione dhe pesë nisma qytetare, do të konkurrojnë për parlamentin 120 vendesh të Kosovës, ndërsa afër një milion e 800 mijë votues kanë të drejtë vote.
Top Channel