Dita e parë e izolimit në Athinë/ Për gati gjysmën e popullsisë në Greqi hynë në fuqi masat e reja

12/02/2021 01:11

Prej orës 6 të mëngjesit të së enjtes në rajonin e Atikës që përfshin kryeqytetin grek dhe gjithë rrethinat e tij me gati gjysmën e popullsisë së vendit, kanë hyrë në fuqi masat shtrënguese shtesë.

Autoritetet greke kanë marrë vendim për këtë lockdown të rreptë në një përpjekje për të lehtësuar presionin në rritje në spitale dhe për të ndaluar përhapjen e virusit, pas rritjes së vazhdueshme të rasteve sidomos me variantin britanik të tij.

Gjatë bllokimit të ri, i cili do të jetë në fuqi deri më 28 shkurt – të gjitha dyqanet me pakicë, floktoret, shkollat, por edhe kishat do të qëndrojnë të mbyllura, me përjashtim të supermarketeve, dyqaneve të tjera ushqimore, pikave të karburanteve, ato të kompanive telefonike dhe farmacive.

Restorante dhe klube janë të hapura vetëm ato që dërgojnë porositë ushqimore në shtëpi, apo shërbejnë kafe në dorë jashtë dyqanit. Bëhet fjalë për lockdownin e dytë të plotë në këtë rajon të vendit që nga fillimi i pandemisë, por që nuk krahasohet me të parin, për shkak se sipas të dhënave të policisë rrugore lëvizja e automjeteve në krahasim me ditën e parë të mbylljes në 23 mars të vitit të kaluar, ka qenë 24 orët e fundit 100% më e lartë.

Ndërkohë për të pestën ditë radhazi numri i rasteve të përditshme është në shifra shqetësuese. 1327 të prekur janë konstatuar pas testeve të ditës së enjte, është rritur përsëri numri i të intubuarve duke shkuar në 281, ndërsa ka pasur edhe 22 humbje jete nga koronavirusi.

Ndërkohë specialistët po monitorojnë katër zona të tjera të vendit që shfaqen me rritje të barrës virale si Ahaia në Pelopones, ishulli i Evias , Rrethimno në Kretë dhe Selaniku, ndërsa pritet të marrin masa përkatëse të premten në mbrëmje.

Top Channel