Demokratët kanë përmbyllur argumentimet e tyre me të cilat treguan se Donald Trump nxiti sulmin mbi kongresin amerikan duke paralajmëruar se ai do ta bëjë këtë sërish nëse nuk dënohet.
Prokurorët përdorën fjalët e vetë protestuesve për të lidhur Dnald Trump me dhunën ndërsa argumentuan se trazirat e muajit të shkuar kanë shkaktuar po ashtu një dëm afatgjatë. Demokratët prezantuan edhe raporte nga policia, stafi, zyrtarët e inteligjencës dhe mediat e huaja për të mbështetur pretendimin e tyre. Ekipi i mbrojtjes i ish presidentit do të fillojë tani paraqitjen e argumenteve të tij. Dhoma e përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët miratoi muajin e shkuar vënien e Trump nën hetim, duke e akuzuar atë se kishte nxitur dhunën në ndërtesën e Kapitolit më 6 janar. Ligjvënësit nga dhoma e përfaqësuesve ia përcollën rastin senatorëve për gjykim.
Avokatët e Trump kanë argumentuar se ai ka shfrytëzuar të drejtën e tij për lirinë e fjalës kur pretendoi se zgjedhjet e nëntorit të kaluar ishin të manipuluara. Tani në senat nevojitet një shumicë prej dy të tretash për të dënuar Trump, në senatin e ndarë në mënyrë të barabartë me 100 vende, por fajësimi i tij nuk ka shumë gjasa pasi një shumicë e senatorëve republikanë deri më tani i kanë qëndruar besnikë atij. Nëse Trump dënohet, sidoqoftë, senati do të mund të votonte për ta ndaluar atë të merrte një post publik sërish.
Top Channel