SHBA shet një milionë fuçi nafte iraniane, të sekuestruar prej sanksioneve

11/02/2021 21:51
Cisterna iraniane Grace 1 duke u nisur nga Gibraltar in 2018 pasi autoritetet refuzuan kerkesen e SHBA per ta sekuestruar

Një zëdhënës i departamentit amerikan të drejtësisë ka thënë se nafta iraniane është shitur dhe një pjesë e fitimeve do të shkojë për Fondin Amerikan të Viktimave të Terrorizmit Shtetëror.

Shtetet e Bashkuara kanë shitur më shumë se një milionë fuçi nafte të sekuestruara nga Irani, sipas programit të sanksioneve të vitit të kaluar, ka njoftuar Departamenti i Drejtësisë, teksa një tjetër anije e kapur me naftë krudo iraniane, ka nisur lundrimin drejt një porti amerikan.

Sekuestrimet janë pjesë e sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Teheranit të vendosura prej programit bërthamor te Iranit, që kur SHBA doli nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore me Iranin, kur erdhi në pushtet administrata Trump.

Prej vitit të kaluar SHBA ka përdorur procedurat e shkeljeve, për të sekuestruar rreth 1.2 milionë fuçi nafte iraniane, të cilat vendi po i dërgonte me katër çisterna drejt Venezuelës.

Dërgesat, që janë kapjet më të mëdha të karburantit iranian deri tani nga Uashingtoni, u transferuan në mjete të tjera detare për t’u shitur.

Zëdhënësi i departamentit  Marc Raimondi tha për agjencinë Reuters se shitja e ngarkesave është kompletuar kësaj jave.

“Nafta është sekuestruar, dhe shitja ka gjeneruar paratë që mbahen tashmë nga shërbimi i Marshallëve të SHBA” tha ai.

Nuk dihet sa është vlera e saktë e karburantit por bazuar në indeksin evropian arrin në dhjetra milionë dollarë.

Javën e kaluar SHBA bëri padinë e sekuestrimit të një tjetër ngarkese nafte të ardhur nga Irani, që sipas tyre është në shkelje të rregullave amerikane të terrorizmit.

Ngarkesa u kap në çisternën me flamur liberian Achilleas, në ujërat e Karaibeve. Ajo pritet të mbërrijë në portin amerikan  të Galveston, Texas më 15 shkurt.

Irani nuk ka komentuar ende mbi çisternat e sekuestruara nga SHBA.

Top Channel