Vetëvrasja/ Familja në SHBA padit aplikacionin ‘Forex’ të tregtimit të aksioneve për vdekjen e të birit

10/02/2021 20:24
Alex (i dyti djathtas) vrau veten vitin e kaluar

Prindërit e një 20-vjeçari që vrau veten vitin e kaluar në SHBA kanë ngritur padi duke bërë përgjegjës për vdekjen e tij aplikacionin e shit-blerjes së aksioneve Robinhood, në një fenomen të ngjashëm me bixhozin por tw maskuar si “investime”, të njohura edhe në Shqipëri si “Forex”.

Padia e raportuar fillimisht nga rrjeti CBS News, thotë se 20-vjeçari Alex Kearns besonte gabimisht se kishte humbur $730,000 kur dhe vrau veten.

Dan e Dorothy Kearns thonë se djali i tyre nuk arriti të gjente ndihmë nga shërbimi ndaj klientit i kompanisë apo nga askush tjetër, para se të vdiste.

Kompania Robinhood tha në një deklaratë për BBC se ishin “të tronditur” nga vdekja e Alex dhe se kishin bërë “përmirësime”.

Aplikacioni i lejon kujtdo të blejë e të shesë aksione, siç thuhet në faqen e internetit, duke shtuar se ka si qëllim “të demokratizojë financën”, ndërsa vazhdon një fushatë reklamash me sloganin “Jemi të gjithë investues”.

Duke folur për rrjetin CBS, prindërit e Alex Kearns thanë se ai nisi të përdorte Robinhood pak pasi kishte mbaruar shkollën e mesme.

Ata thonë se nuk e dinin se aplikacioni i jepte atij opsione për të blerë e shitur aksione, që është një instrument i rrezikshëm financiar, megjithse nuk kishte asnjë eksperiencë  në financë.

Ata thonë se biri i tyre mësoi në 11 qershor 2020 se llogaria e tij në rrjetin Robinhood ishte kufizuar prej balancës negative prej $700,000.

CBS raporton se studenti kishte marrë një mesazh automatik në email në ora 03:26 të mëngjesit, ku i kërkohej “të veronte menjëherë” për të paguar $170,000 brenda disa ditëve.

Familja thonë se klienti 20-vjeçar kishte kërkuar disa herë ndihmë dhe mirëkuptim për shifrat në llogarinë e tij, por merrte vetëm përgjigje standarde që i thonin se do të kontaktonin së shpejti.

“Ata nuk kishin asnjë mekanizëm për të folur në telefon, ose me email-e direkt për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij”, tha avokati i familjes për rrjetin CBS.

Policia i tha prindërve të tij më 12 qershor se Alex kishte vdekur. Detaje nga mënyra e vdekjes së tij nuk janë bërë publike.

“Ai mendonte se kishte shkatërruar jetën e tij. Mendonte se e kishte shkatërruar pa mundësi riparimi,” tha zoti Kearns në një intervistë, duke shtuar se i biri “kishte nevojë vetëm për pak ndihmë”.

Një ditë pas vdekjes së tij, Robinhood i dërgoi një email për të njoftuar se kufizimet ishin hequr dhe tregtimi ishte zgjidhur.

Padia e depozituar në Kaliforni thotë se humbjet ishin mbuluar nga opsione të tjera në llogarinë e tij, dhe akuzon kompaninë Robinhood për të dhëna “keqinformuese” që çojnë klientët në “panik e konfuzion”.

Akuza për vdekje të padrejtë ndaj Robinhood bazohet në praktika të pandershme biznesi dhe shkaktim të trazirave emocionale, thuhet në mediat amerikane.(BBC)

FOTO GALERI
1/3
se 20-vjeçari Alex Kearns besonte gabimisht se kishte humbur $730,000 kur vrau veten.

Top Channel