Protestë e dhunshme në Greqi/ Studentët kundërshtojnë projekt-ligjin e pranimit në universitete

10/02/2021 15:13

Pavarësisht masave anti covid dhe ndalimit të protestave dhe tubimeve në vend, mijëra studentë grekë kanë protestuar mesditën e së mërkurës në kryeqytetin e vendit Athinë.

Sipas organizatorëve të protestës, studentët reagojnë kundër një projekt-ligji i cili pritet të votohet të enjten nga parlamentin grek që parashikon të ndryshojë mënyrën e pranimit të universitetet e vendit, si dhe për krijimin e një force të veçantë policore,e cila do të monitorojë sigurinë e universiteteve dhe institucionet e arsimit të lartë në vend.

Studentët akuzojnë qeverinë se po shkel pavarësinë dhe azilin e universiteteve, por autoritetet thonë se krijimi i kësaj force do të mbrojë universitetet prej uzurpimeve të grupeve anarkiste, elementëve keqbërës dhe trafikantëve të drogës  brenda këtyre institucioneve.

Pavarësisht masave të rrepta të sigurisë marrë prej policisë vendase, protestuesit hodhën gurë dhe shkopinj kundër policisë jashtë parlamentit në sheshin Sindagma.

Forcat e rendit u përgjigjën me granata shpërthyese dhe kimikate.  Policia ka ndaluar disa studentë të cilët u dërguan në drejtorinë e policisë së Atikës.

Në shesh përleshjesh është shndërruar edhe qendra e Selanikut ku policia ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë një protestë të studentëve, grupeve të majta dhe aktivistëve që kundërshtojnë projektligjin që ia solli për miratim ministrja e Arsimit në parlament. Tensioni ka filluar kur protestuesit i janë afruar ndërtesës së Ministrisë së Maqedonisë dhe Trakës dhe janë hedhur bomba molotov mbi policinë. Pasi forcat e rendit kanë shpërndarë protestuesit janë bërë edhe disa shoqërime në rajonet policore. Për gati dy orë qendra e qytetit ka qenë e mbyllur, u hap para disa minutash.

Top Channel