Stuhia “Boelo” godet Holandën, aeroporti Schiphol anulon 90 fluturime për shkak të erërave të forta Senati amerikan votoi të martën në mbrëmje për t’i hapur rrugën gjyqit të plotë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi lidhur me sulmin ndaj Capitol Hill më 6 janar, duke hedhur poshtë një pretendim se procedimi ishte antikushtetues pasi panë videon grafike të sulmit të janarit.
Në seancën e parë për këtë qëllim që do të përcaktonte nëse gjykimi i ish-presidentit ishte kushtetues, 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër argumentit të demokratëve se procedimi është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Gjashtë senatorë republikanë votuan pro, një më shumë sesa pesë që kishin votuar muajin e kaluar kundër një përpjekjeje republikane për ta bllokuar gjyqin.
Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat. Avokatët e Trump argumentuan se meqenëse zoti Trump nuk është më në detyrë, Senati nuk ka autoritetin të mbajë një gjyq mbi akuzën e Dhomës së Përfaqësuesve se ai nxiti një rebelim ndërsa ishte në detyrë. Demokratët shpresojnë ta skualifikojnë ish-presidentin Trump nga mbajtja e një posti publik në të ardhmen.
Videoja e paraqitur nga ekipi i nëntë demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e Prokurorit të çështjes kombinonte pamjet e dhunës ndaj Capitol-it më 6 Janar me segmente të fjalimit ndezës të ish-presidentit Trump para mbështetësve të tij disa momente më herët, duke i nxitur ata të “luftonin fort” për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e nëntorit.
Në kontrast të prezantimit emocional të demokratëve, avokatët e ish-presidentit Trump e sulmuan procesin, duke argumentuar se gjyqi ishte një përpjekje antikushtetuese, partiake për t’i mbyllur rrugën të ardhmes politike të Trump, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
Top Channel