Pas orë të tëra negociatash të mundimshme, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe liderët e 16 landeve u pajtuan që të zgjasin edhe një herë izolimin.

Këtë herë, masat kufizuese do të mbeten në fuqi deri në 7 mars, edhe pse për disa prej tyre do të ketë lehtësime. Edhe pse e pranuan se kufizimet aktuale kanë arritur ta stabilizojnë disi numrin e infektimeve të reja në Gjermani, variantet e reja dhe shumë më infektuese të Covid 19 janë kthyer në shqetësimin për Berlinin zyrtar.

Merkel ritheksoi synimin për ta ulur incidencen në shkallë kombëtare nën 50. Parandalimi I një vale të tretë të virusit, u shpreh kancelarja, ka sot përparësinë kryesore dhe me shifrat aktuale, shtamet e reja të Sars Cov 2 mund të çojnë shpejt në një rritje eksponenciale të rasteve. Ekzekutivi gjerman thotë së nuk i mbetet zgjidhje tjetër pervecse të zgjasë izolimin për të shmangur një rikthim më forcë të sëmundjes, dhe t`i lehtësojë tani masat vetëm për t`i shtrënguar më vonë sërish.

Megjithatë, u vendos që ato të zgjaten deri në 7 mars dhe jo 14 sic kishte propozuar Merkel fillimisht. Baret, restorantet e qendrat kulturore do te mbeten të mbyllura; maskat do të vazhdojnë të jenë të detyrueshme nëpër dyqane dhe në transportin publik, ndërsa punonjësit duhen lejuar të vazhdojnë punën nga shtëpia, kur kjo është e mundur.

Top Channel