
Psikologia tregon si mund ta dallojmë kur një persona na mashtron.
Rastet e vjedhjeve nëpërmjet mashtrimeve nga njerëz që na afron me alibi të ndryshme janë të shumta. Në “Shqipëria live” u trajtua rasti i Vullnet Memës, i cili u mashtrua nga një grua 42-vjeçare. Ai tregon se ajo i ka marrë nëpërmjet mashtrimit 19 mijë euro.
“M’u shfaq një person që merrte gomat e vjetra, tha nuk do të t’i jap tani lekët se do ndihmoj motrën. E sjell mbesën pas një jave. Tha kam një biznes por kam ngecur për momentin, më krijoi një farë besimi, fillova t’i jepja 5 mijë euro dhe më radhë, më tha do të t’i jap më vonë. Tha që dua të zhbllokoj një çek në bankë.
Kishte të bllokuar 800 mijë euro në zarf. Bëri autorizim që lekët të më kalojnë mua. Kam vendosur mbi 10 firma. Punonjësja e bankës tha nëse Mirela prish kontratën, mban banka 60 mijë euro. Kur dolëm nga banka, Mirela kishte zarf, zarfi kishte 2 çeke. Shkova te punonjësja e bankës tha duhet të vijë vetë personi. Pastaj, lexova një lajm në gazetë, aty kuptova që e kishte profesion mashtrimin. U dënua me dy vjet e shtatë muaj. Pashë dhe njerëz të tjerë që kërkonin lekë si unë. Ajo thotë jam përdorur nga njerëz të tjerë. Akoma nuk i kam marrë lekët e mia”.
Psikologia, Arjana Muça jep disa karakteristika të profilit të mashtruesit, bazuar në psikologji.
“Këtyre njerëzve i mungon vetëdija morale. Nuk ndihen në faj për mashtrimin që po bëjnë. Atyre i mungon ndjeshmëria.
Dëgjojeni me vëmendje personin, zakonisht përpiqen të ngarkojnë emocionalisht atë që po tregojnë, flasin me vetëbesim të lartë. Janë të përqëndruar gjatë gjithë kohës. Mbajnë komunikimin me sy që të duken të sinqertë. Nuk ndalon të mendojë, sepse e dinë çfarë do të thonë, flasin mekanikisht”.
Psikologia thotë se mashtruesit e studiojnë mirë viktimën e tyre.
Tendenca për të fituar para të bën të biesh viktimë. Ata të bëjnë të të duket se mund të fitosh para shumë shpejt dhe thjesht. Zakonisht, përmendin emra të zyrtarëve të lartë, që të na marrin mendjen”.
Ndërkohë, Ledian Muçaraku më parë ka vuajtur dënimin për mashtrim dhe pranoi të tregojë për “Shqipëria live” disa sekrete të këtij “profesioni”. “Më lehtë gënjehen intelektualët, jo të varfrit dhe fshatarët. Intelektuali nuk është i lodhur dhe do më shumë lekë.
Një mashtrues t’i merr paratë avash avash. Kështu që viktimën e entuziasmon. Të shëtit dhe me makina luksoze dhe hiqet sikur flet me persona të lartë, që të tregojë që ka influencë”.
Top Channel