Real Madridi sërish në fushë vetëm pak ditë pas suksesit me përmbysje ndaj Huscas. “Los Blancos” do të përballen të martën me Getafen për të rikueruar sfidën e javës së parë të kampionatit.

Mirëpo situata nuk është aspak e mirë në kampin madrilen, ku lojtarëve të padisponueshëm u shtohen edhe dy emra të tjerë: Odriozola dhe Militao. Ka shkuar në tetë numri e lojtarëve që Zinedine Zidane nuk ka në dispozicion për sfidën e radhës. Përveç dy të sipërpërmendurve, janë në infermieri edhe Carvajal, Sergio Ramos, Valverde, Lucas Vazquez, Rodrygo dhe Hazard.

Këtyre mungesave u shtohet edhe Toni Kroos, që u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Huescas dhe mbetet e pezulluar për takimin e radhës pasi ka plotësuar numrin e nevojshëm.

Siç raporton “AS”, lajmi i vetëm i mirë ka të bëjë me Iscon, i ndalur të premten nga një problem në shpinë. Mesfushori është kthyer orët e fundit për të punuar me pjesën tjetër të grupit.

Zidane ka në dispozicion vetëm 13 lojtarë nga ekipi i parë (nga të cilët dy janë portierë, përkatësisht Courtois dhe Lunin) e për rrjedhojë në stërvitjen e fundit janë afruar shtatë futbollistë të Castillas dhe tre nga ekipet e të rinjve.

Top Channel