Prokuroria e Posaçme SPAK ka kërkuar shkresa nga Agjensia e Prokurorimit Publik për hetimin e nisur për përgjimet e Ndraghetës.

Burime nga Agjensia e Prokurorimit Publik thonë për Anila Hoxhën se SPAK kërkon listën e tenderave të dhëna që nga viti 2013 veçanërisht për Perobar që përmendet në përgjime.

SPAK gjithashtu i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë listën e përkthyesve të licencuar të gjuhës italiane për të përzgjedhur personat që do të  asistojnë në ambientet e SPAK për përkthimin e dosjes.

Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë u pyet nga gazetarja Anila Hoxha nëse ka nisur përkthimi i dosjes. Ai konfirmoi që SPAK ka kërkuar listën e përkthyesve të licencuar të italishtes.

Kujtojmë se SPAK nisi hetimet në Shqipëri për një ndër grupet  kriminale më të mëdha italiane.

Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e disa artikujve të publikuara në media të ndryshme, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros në Republikën e Italisë, të cilat hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në vend.

Në lidhje me këtë çështje është organizuar edhe takimi në Romë mes Federico Cafiero  de Raho, Drejtues i Prokurorisë  Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Itali dhe  Arben Krajës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçmeme.

SPAK garantoi publikun se është e vendosur për të hetuar deri në fund çdo element dhe fakt që përbën indicie për veprimtari kriminale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që lidhet me objektin e hetimeve të kryera deri tani nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros.

Megaoperacioni i antimafias italiane:

Dy javë më parë policia italiane ka zhvilluar një operacion të madh dhe ka vënë në pranga një grup të madh personash të përfshirë në grupin mafioz italian “Ndrangheta”.

Në mesin e personave të përmendur gjatë megaoperacionit të antimafias italiane, të koduar “Basso profilo”, figuron dhe emri i një gruaje shqiptare të quajtur Odeta Hasaj.

47 persona kanë përfunduar në pranga, 59 kompani, 45 banesa dhe 29 automjete janë sekuestruar. Janë sekuestruar po kështu 77 llogari bankare e një mjet lundrues. Ndër të tjera është urdhëruar ndalimi i qëndrimit në komunën e Katanzaros dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit për një periudhë prej një viti për noterin Rocco Guglielmo. Masa paraprake e ndalimit të qëndrimit në të njëjtën komunë së bashku me detyrimin e paraqitjes në polici u dha dhe për shqiptaren të cilën shtypi Italian e identifikon si Odeta Hasaj.

Rreth 370 forca policore,  prej të cilëve 200 pjesë e trupave të Antimafias italiane, e 170 forca të përbëra nga Guardia di Finanza e të Policisë së Shtetit kanë marrë pjesë në operacion. Deri tani, ai ka zbardhur një aktivitet të paligjshëm parash me vlerë mbi 300 milionë euro.

Publikimi i përgjimeve krijoi një debat të madh në vend, me akuza dhe kundërakuza mes forcave politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA