Një aleancë e re politike është mënyra e vetme për të luftuar murin e lartë të korrupsionit në Kosovë, kanë thënë kandidatët kryesorë për kryeministër dhe president para zgjedhjeve të javës së ardhshme që për të parën herë që kur vendi shpalli pavarësinë mund ti japin shumicën një partie të vetme.
Kështu e nis britanikja Guardian, raportimin e saj nga Kosova dhe flet për një biletë të përbashkët mes Albin Kurtit, për kryeministër dhe Vjosa Osmanit, për presidente.
Sipas Guardian, kjo biletë po rezulton popullore në sondazhe ndërsa tubimet intensive elektorale, me pak ose aspak shenja të plotësimit të rregullave për distancim social, hyn në javën e fundit para zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kurti dhe osmani vijnë nga tradita dhe parti të ndryshme por thonë se ndajnë vendosmërinë për ti dhënë fund gjendjes endemike të kapjes së shtetit nga një elitë e korruptuar. Kurti vjen nga e majta dhe është i fokusuar tek vendet e punës dhe drejtësia. Ndërsa Osmani, 38 vjeç, nënë e dy fëmijëve, vjen nga qendra e djathtë dhe ka dhënë intervistën e parë për gazetën londineze kur ishte 17 vjeç, pasi familja e saj ishte detyruar të braktiste shtëpinë e saj në Kosovë. Ajo, shkruan Guardian, është një forcë e rrallë femërore në një politikë të dominuar nga meshkujt, dhe u bë presidente në detyrë pasi Hashim Thaci u detyrua të jepte dorëheqjen për tu përballur me akuzat në Hagë. Nëse Kurti zgjidhet kryeministër, ai do të zgjedhë osmanin presidente. Edhe vetë kosovarët duket se shohin me pozitivitet aleancën Kurti-Osmani dhe thonë se Kurti meriton një shans të dytë, më të gjatë, për ti dhënë fund kaosit politik dhe për tu përballur me problemet e vendit. Por nëse ata dështojnë, zhgënjimi do të jetë i madh.
Top Channel