Situata e pandemisë së Covid 19, shtoi krimet, por ato kibernetike që kryhen nëpërmjet internetit.
Sipas të dhënave që Top Channel disponon, gjatë vitit 2020 janë regjistruar rreth 240 raste të kësaj natyre krimi. Burime jo zyrtare të Top Channel thonë, se krahasuar me 5-vjeçarin e fundit, viti i shkuar regjistroi numrin më të lartë të këtyre krimeve.
Qëndrimi në karantinë i qytetarëve dhe detyrimi i tyre në një pjesë të rasteve për të përdorur kartat e bankës, apo edhe transaksionet online, bën që ata të binin pjesë e mashtrimeve online.
Njësia për hetimin e krimit kibernetik në vendin tonë, gjatë vitit të shkuar ka goditur një sërë veprash penale të kësaj natyre.
Janë rreth 14 vepra penale që mund të kryhen nëpërmjet kibernetikës. Një nga to janë mashtrimet kompjuterike, që përfshijnë vjedhje të të dhënave apo qoftë edhe mashtrimet që janë bërë duke iu kërkuar qytetarëve që të depozitojnë para në një llogari të caktuar.
Ndërhyrjet në sistem kryesisht janë bërë për të transferuar para, nga një llogari në një tjetër, ndërsa falsifikimet kompjuterike, kanë pasur për raste, ato të ndërtimit të profileve false në rrjetet sociale, pra me të dhëna të rreme.
Por për shkak të numrit të veprave penale kibernetike dhe për shkak se të gjitha veprat e tjera penale çdo ditë e më shumë kanë lidhje me pajisjet kompjuterike, bëjnë që të kërkohet në këtë formë ndihma e strukturave të hetimit kibernetik.
Megjithatë, aktualisht në këtë njësi punojnë vetëm 5 hetues të krimit, ndërkohë që nga qershori i vitit të kaluar duhet të ishin 10 hetues. Por burime jo zyrtare thonë, se edhe ky numër është i ulët për të hetuar krimin kibernetik, për shkak se ndodhet vetëm në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit dhe se në drejtoritë vendore nuk ka njësi të tilla të specializuara.
Në fund të vitit të kaluar, ministria e brendshme miratoi edhe strategjinë për hetimin e krimit kibernetik, megjithatë, ende nuk është parë asgjë konkrete.
Top Channel