Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Sarandë është ndalur edhe një herë tek debati në lidhje me “çështjen e detit” me Greqinë.
Rama ka ritheksuar se zgjerimi në det i Greqisë, nuk e cënon Shqipërinë, duke shtuar se Greqia është në të drejtën e saj. Rama nuk i ka kursyer për opozitën dhe ata që kanë hedhur akuza se Shqipërisë po i merret deti, duke i quajtur “maskarenj që i fryjnë këtij zjarri”.
“Vendimet e Greqisë që këtu janë keqinterpretuar masivish janë vendime që nuk kanë lidhje me çështjen e detit mes nesh dhe Greqisë, sepse këtu nuk janë miljet e nevojshme për t’u shtrirë 12 milje, që të ndodh kjo duhet të vendos kufirin në Memaliaj dhe pastaj e gjithë ekonominë e detit duhet ta spostojmë në Virua, nuk ka dhe nuk e di sa herë duhet ta përsërisë. Nuk ka mundësi as Shqipëria të shtrihet 12 milje, dhe as Greqia të shtrihet te ne. E ke shpinë në Sarandë? Jo sipas lajmeve e ke shtëpinë në Greqi. 12 miljet janë një e drejtë e gjithsecili shtet, Greqia ka ushtruar të drejtën e vet, deti Jon nuk fillon në Butrint, matanë ka Greqia hapësirë për t’u shtrirë me 12 milje në raport me Italinë, aty ku dhe Konventa e thotë shumë qartë, që ushtrohet aty ku është e mundur, nëse nuk është mundësia fizike nuk e bën dot. Ne e kemi ushtruar këtë të drejtë në ’90 me 6 milje dhe aty ku nuk ushtrohet dot duhet bërë marrëveshje dhe ne do të shkojmë në gjyq se s’kemi marrëveshje, nuk jemi marrë vesh se nuk ka hapësirë për të ushtruar të drejtën pa u marr vesh dhe ideja që deti mund të shitet si kos dhe shitja të bëhet fshehurazi është një ide krejtësisht absurde, por keqardhja e madhe është që ka kaq shumë peshq me 2 këmbë që këtë absurditet e marrin për të mirëqenë, ata që janë lider partish politike dhe flasin duke i fryrë këtij zjarri janë maskarenj. Qenie të ulëta, të padenja që nuk meritojnë aspak respekt por që kanë një pjesë njerëzish që i ndjekin, gjysmëanalfabet që i japin vetes patriot, po patriot e injorant nuk lidhen me njëra tjetrën. këtu s’ka lidhje ke shkollë apo jo, ke sot njerëz me shkollë që e kanë kokën bosh. Marrëveshja e vjetër ishte problem, jam krenar që rivendosëm me Greqinë rrugën e komunikimit, marrëdhëniet me Greqinë janë shumë pozitive, por ajo që ka bërë nuk impakton fare me ne”, tha Rama.
Top Channel