E fundit e hebrenjve të Gjirokastrës/ Delisia Kofina: Si u ndryshuan emrat në myslimanë për të shpëtuar

07/02/2021 19:59

Gjirokastra strehoi një komunitet të tërë hebre përgjatë Luftës së Dytë Botërore të cilët u harmonizuan më pas me jetën e qytetit.

Lagjja Varosh është një lagje kozmopolite një shembull ku kanë bashkëjetuar disa komunitete. Sot në Gjirokastër jeton vetëm një përfaqësuese e fundit e familjeve hebreje, Delisia Kofina.

“A patët humbje të familjarëve gjatë Luftës?

Delisia Kofina: Po patëm humbje të familjarëve, mbetëm shumë pak sepse pjesa më e madhe jetonte në anën tjetër të kufirit në tokën greke dhe mbetën shumë pak pjestarë.

Çfarë ndodhi me të tjerët?

Delisia Kofina: Të tjerët i mori gjermani siç ka marrë shumë hebrenj në gjithë Europën.

Ata që u vendosën në Shqipëri shpëtuan?

Delisia Kofina: Po kishin fatin më të madh të shpëtonin sepse shqiptarët i mbrojtën. Gjetën një taktikë shumë të mirë, ndryshuan emrat i bënë myslimanë dhe nuk i dorëzuan.

Përveç faktit se dhjetëra jetë u shpëtuan këtu në Gjirokastër përgjatë Luftës së Dytë Botërore vlen të theksohet edhe fakti tjetër që hebrenjtë gjetën vendin e duhur në jetën e qytetit. Ata patën sinagogën e tyre brenda një shtëpie në lagjen Varosh, varrezën e tyre por arritën edhe të ndjekin ritet, zakonet dhe traditën e tyre.

Teodor Bilushi: Kam dëgjuar që disa familje të lagjes “Varosh” siç ka qenë familja e doktor Vasil Labovitit apo familja e një prifti këtu në lagjen Varosh kanë mbrojtur në shtëpitë e tyre disa nga anëtarët e komunitetit hebre. Këtu bashkëjetonin banorë me fe të ndryshme me kombësi të ndryshme pra është një nga lagjet më të rralla në Jug të Shqipërisë.

Banorët e Gjirokastrës nuk pranuan t’ja dorëzonin gjermanëve tregtarët hebrenj që Lufta e Dytë Botërore i gjeti në Gjirokastër. Të gjitha familjet ose u strehuan në bodrumet e banesave të mëdha të qytetit ose morën identitete të tjera për të shpëtuar jetën.

Sot gati një shekull pas zanafillës së bashkëjetesës së tyre me Gjirokastrën Delisia Kofina e fundit e hebrenjve në Gjirokastër beson se kjo është një prej historive më të bukura që qyteti ka për të ndarë me botën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA