Veliaj shpërndan kartat e PS në Njësinë 2: Ata të PDIU shesin idealin për një vend në PD

06/02/2021 18:24

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u dorëzoi sot socialistëve më të rinj të Njësisë 2, kartat e anëtarësimit në Partinë Socialiste.

Veliaj tha se të rinjtë po i bashkohen një partie që ka jo vetëm shumicën politike, por edhe shumicën morale. Ai nënvizoi se filozofia e PD-LSI është harresa e të gjithë gjërave që kanë bërë.

“Si filozofi, basti ynë, misioni ynë, është te kujtesa. Kurse basti i tyre është që njerëzit të kenë harruar. Të kenë harruar Gërdecin, 21 Janarin, Florenc Hoxhën, Kristalin dhe Vitrinën, të gjitha këto çudirat që keni parë me qeverisjen e tyre. Programin e tyre kanë pasur 8 vite për të na e treguar, por një parti politike që zihet me një bunker prej allçie, me pemën e Vitit të Ri, me një instalacion artistik, tregon një sjellje mesjetare”, tha Veliaj.

Më tej kryebashkiaku ironizoi PDIU, kur tha se shesin gjithë idealin për një vend të sigurt në PD.

“Kemi pasur shumë prurje nga PDIU që na janë bashkuar. Na thonë: Çfarë patriotizmi? Janë duke u zënë tani me grekët, kush të futet në një vend të sigurt në PD. Për një vend shesin gjithë idealin. Ndërkohë në PS, ne nuk jemi nga ata që bëjmë skena komike, sepse patriotizmi tregohet me vepra, jo me like”, përfundoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA