Programi i PD për bujqësinë? Rama: Menu me pjata imagjinare që nuk do shfaqet në asnjë tavolinë!

06/02/2021 08:43

Kjo fundjavë Kryeministrin Edi Rama e gjeti në Nivicë, që është shndërruar në një pikë graviteti i zhvillimit rural.

I pyetur nëse shqiptarët i kanë shfrytëzuar sa duhet pasuritë natyrore në të gjithë këto vite Rama thotë se jo vetëm që nuk i kanë shfrytëzuar por janë keq shfrytëzuar.

“Ajo që sot është e qartë dhe e prekshme është se faza embrionale e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe një ekonomie që do të fuqizohet fuqimisht përmes shfrytëzimit të kësaj pasurie ka filluar të japë shenjat e para. Janë 11 shpi të rindërtuara, janë 6 kërkesa për projekte të reja agro turizmi dhe janë dhe 27 kërkesa në bashkinë e Tepelenës për rindërtime të tjera, në një vend ku deri dje ta falnin shtëpinë ose ku mund të blihej për një copë bukë. Sot është e pamundur sepse të gjithë i kanë sytë tek e ardhmja, edhe emigrantë që duan të kthehen”.

“Jam i bindur që në këtë dekadë do të ketë një zhvillimi eksponencial sepse kemi zhvilluar një projekt vizionar infrastrukture për të gjithë këtë zonë dhe Tepelena është bërë nga një xhep fallco ku nuk kthehej njeri dhe ata që ishin këtu më shumë iknin se vinin, në një qendër graviteti të një zhvillimi që përmes infrastrukturës bashkon të gjitha pikat brenda një perimetri që prek Gjirokastrën, Vlorën, Përmetin, Himarën”, shton më tej Kryeministri.

Kryeministri Rama komentoi edhe programin e PD-së për bujqësinë, që për të është një ‘menu me pjata imagjinare’.

“Po të bashkojmë bashkë buxhetin tonë nga arka e shtetit dhe atë që kemi mundur të thithim shkojnë në të njëjtën shifër. Programi i PD është një menu për të ofruar të gjitha pjatat imagjinare për të gjitha kategoritë e njerëzve dhe për ti bërë të ëndërrojnë një gjumë për një gjellë pasanikësh siç thuhet te Lulëkuqet mbi mure. Shqipëria reale është me e madhe se Shqipëria virtuale se pjatat bosh në gjumë, program që mbetet si pjatat bosh që nuk do shfaqet në asnjë tavolinë”, tha Kryeministri Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA