Hetimet për zhdukjen e sipërmarrësit italian, Davide Pecorelli në Shqipëri vijojnë ende.
Ka kaluar një muaj nga zhdukja e gjurmëve të 45-vjeçarit dhe ende nuk kanë dalë rezultatet e ADN-së së eshtrave që u gjetën në automjetin e djegur, të cilën e kishte marrë me qira biznesmeni.
Një prej elementëve ku po zhvillohen hetimet i përket gruas së tij shqiptare, me të cilën ka fëmijë dhe ka dëshmuar disa herë për hetuesit shqiptarë dhe ata italianë. Ndërsa elementi i dytë ku po zhvillohen hetimet i referohen ADN-së.
“Edhe dje u zbulua se mbetjet e pakta njerëzore që u gjetën në makinë nuk u dërguan nga Shqipëria për të bërë krahasimin me ADN-në e vëllait të tij Antonello. Prandaj, hetimet po zgjaten pasi informacionet nuk vijnë në kohën e duhur nga policia shqiptare”, shkruan media italiane ‘La Nazione’.
Elementi i tretë është se ditët e fundit janë marrë parasysh deklaratat e një miku sipërmarrës me të cilin Davide donte të hapte një biznes tjetër në zonën e Città di Castello. Ndërsa për biznesin që Pecorelli po fillonte në Shqipëri, shoku i 45-vjeçarit tha: “Unë e di me siguri që Davide po kërkonte një kompani, për të filluar prodhimin e objekteve me markën ‘Hairdressers Milan’ që më pas mund të sillen në Itali”.
Ndërsa në dëshmi shtoi: “Unë u takova me Davide në fund të vitit dhe duke folur për punë, ai konfirmoi interesin e tij për të gjetur partnerë në Shqipëri në mënyrë që të prodhonte objekte me markën “Hairdressers Milan”. Por jo vetëm, sepse midis tetorit dhe Nëntor, nga sa kam mundur të kuptoj, këta partnerë të mundshëm kishin ardhur këtu në Itali dhe në fakt ai më kishte thënë një mbrëmje se kishte një takim të rëndësishëm..”.
Ndër të tjera theksoi se mundësitë e vetëvrasjes nuk ekzistojnë. Edhe mundësia që automjeti ka marrë flakë nga një defekt dhe Pecorelli e ka pasur të pamundur për të dalë jashtë është shumë e vogël. Ndërkohë eshtrat e gjetura përbëjnë vetëm 5% të trupit, ndaj përgjigja e ADN-së pritet të zbardhë të vërtetën.
Top Channel