“Zgjoi” fitoi tre çmime në ‘Sundance film festival’, flet regjisorja: Nuk e prisja! Ia dedikoj Fahrije Hotit, është heroinë

04/02/2021 10:10

Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit ka fituar tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara.

Në një lidhje me skype me “Wake Up”, regjisorja Blerta Basholli rrëfeu se nuk e priste këtë sukses kaq të madh.

 “Është një emocion i veçantë për të gjithë ne sepse kemi punuar shumë me sinqeritetin dhe përkushtimin më të madh. Pjesën tjetër ja kemi lënë fatit të filmit. Më vjen mirë që kemi bërë këtë zgjidhje sepse “Sundance” është festival i dashur.

Kur jemi pranuar sepse ishte sukses shumë i madh. Konkurrenca ishte e madhe dhe këtë vit ka qenë edicion special dhe konkurrim akoma më i ngushtë, më ka bërë ta mendoj që nuk do ta fitoj sepse kishte filma nga kudo. Ka pasur filma shumë të mirë. Ka qenë një kontribut i mirë i disa njerëzve që kemi punuar bashkë, por kur kam parë konkurrencën, nuk kam qenë e sigurtë që do fitoj diçka”, tha Basholli.

Fitoren ia dedikon Fahrije Hotit, personazhit kryesor ku u bazuan për të krijuar filmin. Në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, Hoti filloi një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes.

Ajo e filloi këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj, gjë që frymëzoi Bashollin që të realizonte filmin.

“Për mua, ka qenë nder dhe kënaqësi ta takoj dhe jam e lumtur që e njoh atë grua. Më inspiron shumë sepse është grua me vizion, ka ëndërr, është guximtare, kështu që për mua është kënaqësi e madhe që e kam takuar, që ka pranuar të bëjmë film për të dhe ka qenë me rëndësi që ti pëlqejë filmi përfundimtar. Ia dedikoj asaj sepse është heroinë. Thotë që nuk jam e vetmja grua, por ka dhe të tjera, zëri i të cilave duhet të dëgjohet. Po shpresoj që sado pak ky film të jetë zëri i këtyre grave, që kanë humbur familjarët në luftën e Kosovës”, tha Basholli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA