Gjykata e Durrësit vendos pranimin e pjesshëm të kërkesës së prokurorisë dhe çon për gjykim të akuzuarit për pasojat e tërmetit në godinat e shembura ku u shkaktuan humbje jete.

Gjatë një seance të zhvilluar pasditen e vonë të së martës, në një sallë gjyqi ku nuk u respektuan rregullat e kufizimit të numrit të pjesëmarrësve dhe distancimit fizik, gjyqtarja vendosi të çojë çështjen për gjykim me disa ndryshime. Me kërkesë të mbrojtjes, gjykata pushoi çështjen ndaj ish-kreut të ALUIZNIT Arben Isaku dhe ndryshoi akuzën ndaj Artur Terziut, pronar i lokalit Barons në pallatin në lagjen 6 që u shemb dhe si pasojë në ndërhyrjen në muret e kolonat ndarëse të katit të parë të kthyer në lokal.

Për Terziun gjykata pushoi veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, duke zbutur akuzën e prokurorisë ndaj tij. Gjithashtu për shkak të vdekjes, ka pushuar çështja dhe për pronarin e ish-hotel ”Tropikal” në plazhin e Durrësit, Avdulla Osmanin.

Me pranimi i pjesshëm të kërkesës se prokurorisë, përfaqësuar nga prokurorët Madrid Kullolli, Pali Deccolli dhe Edmond Koloshi, ccështja kalon për gjykim, pasi akuza mbërriti në përfundimin se  ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se 18 të akuzuarit kanë konsumuar vepra penale përmes shpërdorimit të detyrës dhe shkeljeve të rregullave, normave e standardeve të ndërtimit duke çuar në vdekjen e personave që humbën jetën gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Pas këtij vendimi të Gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës, në bankën e të akuzuarve, pas caktimit të trupit gjykues dhe datës së fillimit të gjykimit, do të ulen 16 persona nga 18 të akuzuar fillimisht, për t’u përballur me akuzat e prokurorisë.

Hetimet nga prokuroria e Durrësit nisën më 29 nëntor të vitit 2019, pak ditë pas tërmetit 6.4 ballë që goditi Durrësin, duke lënë pas shkatërrim dhe viktima.

Top Channel