Sonte në mbrëmje vonë mbërrin një sasi tjetër vaksinash të Pfizer në vendin tonë. Kjo sasi vjen nga porosia që qeveria shqiptare ka bërë direkt me gjigantin farmaecutik amerikan Pfizer -Biontech.
Nuk dihet nëse vjen sasia prej 10.700 dozash që pritej të mbërrinte në javën e tretë të janarit apo është një sasi më e vogël për shkak të vështirësive dhe mungesave që u krijuan në të gjithë vendet e tjera. Në fakt, në të gjithë vendet e Europës po zhvillohet një betejë e fortë për të siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinave në një kohë kur koronavirusi po përhapet me shpejtësi.
Në këtë periudhë, numrin më të lartë të të infektuarve në çdo 24 orë e ka Anglia dhe Franca dhe po kështu numrin e humbjeve të jetëve. Ndërkohë që në janar, në të gjithë vendet e Europës u përballën me pakësim të numrit të vaksinave që kishin porositur pranë Pfizer për shkak se kompania paralajmëroi shtimin e linjave të prodhimit dhe njëkohësisht pati vonesa sikundër ndodhi dhe me Shqipërinë.
Ndonëse mbi 600 mjekë të dy spitaleve Covid do të nisin ditën e martë të aplikojnë dozën e dytë të vaksinës, e cila është gjendje, me sasinë që pritet të mbërrijë këtë të hënë, do të vijojnë të vaksinohen me dozën e parë sërish mjekë por këtë radhë përfshihen edhe ata të qendrës spitalore “Nënë Tereza”, spitaleve rajonaleve dhe mjekë të qendrave shëndetësore në varësi kjo të sasisë që do të mbërrijë. Ndërkohë që brenda muajit shkurt ka konfirmuar edhe Covax që do të nisë furnizimin me vaksina në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka paguar 3.9 milionë dollar për një sasi 1.1 milionë doza pranë Covax.
Top Channel