Studentët duhet të krijojnë kushtet e nevojshme për tu testuar në shtëpi, pasi provimet nuk do të zhvillohen në auditore si më parë për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me covid19 gjatë dimrit.
Me nisjen e sezonit të provimeve javën që vjen, të rinjtë nuk do të jenë përballë me pedagogët në sallat e universiteteve por do të duhet të jenë të vetëm në dhomë e do të lidhen online nëpërmjet një kompjuteri apo smartphone për të kryer provimin, i cili do të regjistrohet nga ana e stafit akademik.
Paola Ymet- studente:
“Shumica e pedagogëve na kanë njoftuar që provimi do të bëhet me gojë dhe me kamerë hapur kështu që studentët nuk besoj se do të kenë ndonjë mundësi për të bërë ndonjë lëvizje të vogël për të kopjuar. Besoj është një nga momentet që ne vërtet e vuajmë, sepse ka mungesë të pajisjeve , ka mungesë interneti, ka raste që ikin dritat. Ndaj mendoj që do të jetë vërtet shumë shumë e vështirë për të marr rezultatin që duam të marrim. Ka edhe pedagogë që nuk dinë ende të përdorin platformën. Duke qenë se nis problemi edhe te ata pasoja qëndron te ne. sinqerisht jemi shumë konfuzë dhe nuk e dimë deri në momentin që do e provojmë se si do të ecin provimet online”.
Edhe pse Komiteti Teknik i Ekspertëve ende nuk ka vendosur nëse studentët do të rikthehen në auditore apo jo për provimet e semestrit të parë, Universiteti i Tiranës pas mbledhjes së rektoratit mori vendimin që ato të zhvillohen online. Megjithatë për studentët që për shkak të vështirësive ekonomike, vendit ku jetojnë nuk mund të realizojnë testimet përmes internetit do u jepet një mundësi e dytë për t’i mbyllur brenda muajit qershor.
Mënyra e Zhvillimit të Provimeve të semestrit të parë në Universitetin e Tiranës:
Vendosi:
Provimet e semestrit të parë do të zhvillohen online.
Provimet të cilat nuk mund të zhvillohen online për shkak të specifikave të lëndës, me kërkesë të titullarit të lëndës dhe me miratimin paraprak të përgjegjësit të njësisë bazë, do të zhvillohen në auditore vetëm pas marrjes së miratimit përfundimtar nga Komiteti Teknik i ekspertëve.
Në rast se Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk miraton kërkesat e zhvillimit të provimeve, për këto lëndë në auditor, titullarët e tyre të shohin mundësitë alternativë të përmbylljes së procesit të provimeve në këtë semestër. Në pamundësi të realizimit të këtyre brenda këtij semestri si dhe për ata studentë që kanë pamundësi të pjesëmarrjes në këtë semestër do të përcaktohet një periudhë e mëvonshme e zhvillimit të tyre brenda muajit qershor.
Njësitë kryesore për të komunikuar më tej, brenda datës 03/03/2021 të dërgojë në rektorat lëndët provimet e të cilave kërkohet një zhvillim në auditor.
Ky vendim përcillet për zbatim të gjitha njësive përbërëse të UT.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
– Ndërkohë, Komiteti Teknik i Eksertëve ka vendosur që të vijojë mësimi online në universitete për shkak të situatës epidemiologjike ndërsa pritet që brenda javës të ketë një vendim për sezonin e provimeve të studentëve në auditore.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli ka bërë me dije vendimet bazuar mbi situatën epidemiologjike në vend.
“Në lidhje me kërkesën e universiteteve, që meqë hyjnë në sezonin e provimeve, t’i zhvillojnë ato nëpër auditore, po punojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit për të vlerësuar mundësitë konkrete të këtij realizimi dhe patjetër që do të kemi një vendim të shpejtë, maksimumi deri në fund të kësaj jave. Në takimin e sotëm të Komitetit të Ekspertëve u vendos që të vazhdojmë ndërprerjen e fluturimeve me Britaninë e Madhe deri në një vlerësim tjetër, deri në një moment të dytë, ku do ta rivlerësojmë përsëri në varësi të dinamikës së situatës epidemiologjike”, tha Prof. Mira Rakacolli.
Top Channel