Kryetari i Graçanicës, Sërgjan Popoviq, vëllai i 17-vjeçarit Dimitrij, i cili ishte vrarë në qendër të Graçanicës më 5 qershor 2004, e ka kujtuar këtë ngjarje pas lajmit se autori i kësaj vrasjeje, Albert Krasniqi të mërkurën u qëllua për vdekje nga babai i tij në Prishtinë.
“Çfarë mund të themi. Edhe kjo është tragjedi, por e jona na lëndon, sepse ne mbetëm pa një jetë të re pa ndonjë arsye. Dimitrij ishte një djalë i ri plot gëzim, shpirt të gëzuar, punëtor dhe me plane për të ardhmen, ai nuk e kishte pritur”, tha Popoviq duke iu përgjigjur mediumit serb “Novosti” ndërsa komentoi vrasjen e Albert Krasniqit, i cili ishte dënuar kohë më parë për këtë vrasje.
Alberti u vra nga babai i tij para pak ditësh. Skender Krasniqi u arrestua me rastin e vrasjes dhe iu gjet arma nga e cila u shkrep.
Sidoqoftë, familja Popoviq, që e humbën Dimitrijn, nuk deshën të flisnin shumë mbi tragjedinë e Albert Krasniqit. Ata thanë se nuk duan të hakmerren ose të gëzohen sepse thonë se “tragjedia është tragjedi”.
“Dimitrij ynë u vra në moshën 17 vjeç. Ai nuk priti për diplomim, as për nënën e tij që donter të martohej me të,” vajtoi Jorgovanka djalin e saj në një nga përvjetorët.
Vëllai i tij, Sërgjan, i cili është edhe kryetar i Komunës së Graçanicës tha se nuk ia dëshiron askujt atë që i ndodhi vëllait të tij.
“Unë kurrë nuk do t’ia dëshiroja askujt atë që i ndodhi Dimitrijt. As edhe vuajtje të tilla për familjen, sepse një jetë u ndërpre në mënyrën më mizore. Edhe pse familja jonë është nga Graçanica, ne jetuam në Prishtinë deri në vitin 1999, dhe pastaj kur të gjithë serbët u larguan qyteti, ne u kthyem në Graçanicë. [..] Vdekja e Dimitrijt na goditi si një rrufe nga qielli”, tha Popoviq.
Të mërkurën, Albert Krasniqi u qëllua për vdekje nga babai i tij, Skender Krasniqi. Siç është raportuar, policia kishte qenë në kërkim të Albert Krasniqit ditët e fundit para tragjedisë, për shkak të dyshimit se ai e kishte rrahur ish-gruan e tij, Besa Gashi.
Tashmë i ndjeri, ishte dënuar me nëntë vjet e gjysmë burgim për vrasjen që ndodhi në një “fast food” në vitin 2004, ku Dimitrij Popoviq ishte me shokët e tij. Një veturë e tipit Audi ishte ndalur para lokalit. Në veturë ishte edhe Albert Krasniqi, i cili kishte qëlluar me breshëri plumbash drejt tyre. Popoviq u godit në kokë nga një plumb dhe vdiq në vend. /Express/
Top Channel