“Ngadhënjim mbi vdekjen”, jehonë të madhe në Kinë/ Protagonistja e filmit tregon për vizitën në shtetin aziatik: Më pritën si yll hollywood-i, u befasova…

27/01/2021 14:17

Shumë filma nga kinematografia e viteve ’60-’70 në Shqipëri janë transmetuar në Kinë dhe janë pëlqyer shumë nga publiku kinez.

Eglantina Kume luan në rolin e personazhit kryesor, Mirës në filmin e realizuar në vitin 1967,  Ngadhënjim mbi vdekjen. Pasi filmi kishte bërë jehonë në Kinë, Eglantinën e ftuan në Kinë. Ajo tregon në “Shqipëria live”, për pritjen madhështore: “Atëherë kur është bërë filmi, në Shqipëri artistëve nuk iu bëhej jehonë suksesi. Unë suksesin e kuptova pasa 40 vitesh kur u ftova në Kinë. Jam surprizuar nga pritja, bisedat që kam bërë dhe njerëzit e shumtë që më njihnin. Iu dukej e çuditshme që më panë nga afër, kam dhënë shumë autografe. Ndërsa në Shqipëri, kur doli filmi, nuk njihej fare autografi”.

Ajo ndan emocionet e një udhëtimi me taksi në Kinë: “Në taksi, unë dhe përkthyesja ime flisnim shqip, taksisti na pyeti çfarë gjuhe ishte. Pasi përkthyesja i tha për mua që është Mira e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, ndalon makinën dhe thotë e pamundur, e pabesueshme, po dridhej… Unë fotografinë tuaj e mbaja në mur, si ka mundësi që ndodheni në makinën time, më tha. Ishte emocion i paparë…

Po ashtu, muzika e filmit është pëlqyer shumë në Kinë. Regjisori i filmit, Piro Milkani tregon: “Vit për vit vinte një grup kinez, i shihte këto filma në Shqipëri, i blinte. Filmat që nga 59-74, u shfaqën shumë në Kinë dhe patën sukses. “Ngadhënjim mbi vdekjen” është një ndër filmat që pati sukses shumë të madh sepse trajtonte temën e luftës. Populli kinez është shumë i ndjeshëm ndaj këtyre temave sepse kanë vuajtur okupacionin kinez. Kanë ndjerë muzikën e filmit që është kthyer në himn të shoqatës së grave kineze që kanë luftuar në luftën çlirimtare”.

Ndërsa Eglantina Kume rrëfen se është surprizuar kur muzikën e ka dëgjuar në një dokumentar kinez: “Një dokumentar kinez, ishte 50 vjetori i luftës çlirimtare ndaj japonezëve dhe pashë këngën Ngadhënjim mbi vdekjen, e përkthyer. Ishte shumë madhështore dhe e veçantë”.

Sipas aktores, filmi ka patur këtë sukses në Kinë sepse është vlerësuar realizmi i interpretimit dhe tematika e luftës, që në fakt bazohet në një ngjarje të vërtetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA