“Sill një libër, merr një libër”/ Nisma në Sarandë për të nxitur leximin dhe për të kthyer vëmendjen te libri

24/01/2021 12:26

“Sill një libër, merr një libër” është një shtëpizë bibliotekë, një karrocë lëvizëse që do të qarkullojë në qytetin e Sarandës për të nxitur leximin dhe vëmendjen për librin.  Atje qytetarët do të lenë një libër të lexuar e do të marrin një tjetër.

Organizatorët ftuan që të shtohet dhurimi i librave dhe leximi në parqe. Ngjarja u bë menjëherë interesante për kalimtarët.

Shtëpizat shëtitëse që planifikohet të vendosen edhe në lagje të tjera të Sarandës, në Ksamil dhe në disa fshatra mund të promovohen edhe si gjetje turistike thotë Vangjel Xhani guidë turistike me një përvojë të gjatë.

Sipas bashkisë së qytetit bregdetar më 24 Janar ditën e Edukimit, Saranda zgjodhi të edukojë dëshirën për lexim si pjesë e praktikës së shumë qyteteve europiane me dëshirën që leximi të bëhet pjesë e përditshmërisë.

Lëvizja  “Sill një libër, merr një libër”, është e para e tri dekadave të fundit me në fokus librin dhe lexuesin dhe vjen pas një apatie të gjatë shoqëruar me braktisjen e bibliotekave dhe zbehjen kolektive të interesit për të lexuarit.

Top Channel