Elona është në pritje të fëmijës së dytë. Por as shtatzënia nuk e largon nga porti i peshkimit në Vlorë, atje ku ashtu si familja e saj me breza të tërë, 33 vjeçarja qep rrjeta që kur ishte 15 vjeçe.
Familja nga vjen por edhe bashkëshorti, të gjithë e kanë jetën të lidhur me peshkimin. Për të nuk është një mjedis i huaj edhe pse sot është e vetmja grua që riparon rrjetat e peshkatarëve.
“Që në vitin 2002, kur bëra kursin e peshkimin, jam diplomuar për të qepur rrjeta. Për mua është shumë e lehtë sepse e kam pasion dhe trashëgimi nga familja. Këtu ndihem mirë, sikur jam në shtëpinë time”, thotë Elona.
Elona nuk e ka braktisur Vlorën as për të punuar në Itali, ku sic na tregon ka pasur kërkesa për punë. Puna e saj në port vlerësohet.
“Është e vetmja femër që qep këtu. Edhe ato që ishin kanë dalë në pension, ka ngekur vetëm një. Të gjithë peshkatarët janë në duart e saj por sa do i përballojë ajo”, thotë një peshkatar në portin e Vlorës.
Në muajin e nëntë të shtatzënisë, Elona nënë e një vajze, do të vazhdojë punën derisa të vijë në jetë edhe fëmija i saj i dytë, për t’u rikthyer me të njëjtin pasion që nuk e braktis prej 18 vjetësh.
Top Channel