Republikanët në Senatin amerikan u kërkuan demokratëve të shtyjnë fillimin e gjyqit kundër ish-Presidentit Donald Trump deri në mes të shkurtit, për t’u dhënë kohë avokatëve të tij të përgatisë një mbrojtje kundër akuzave për nxitje të protestës së dhunshme.
Kjo lëvizje erdhi pasi demokratët më herët gjatë ditës thanë se Dhoma e Përfaqësuesve mund të dërgonte që të premten në Senat akuzat, që u miratuan javën e kaluar në përgjigje të sulmit vdekjeprurës në Kapitol nga mbështetësit e ish-presidentit Trump. Ish-presidenti republikan Donald Trump u largua nga zyra të mërkurën dhe udhëtoi për në vendpushimin e tij në Florida, disa orë para se të betohej demokrati Joe Biden.
Lideri i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell u kërkoi demokratëve që të prisnin deri në 28 janar për dërgimin e akuzave për t’i dhënë zotit Trump dy javë për të përgatitur mbrojtjen e tij ligjore. Zyra e udhëheqësit të shumicës në Senat, Chuck Schumer nuk iu përgjigj menjëherë një pyetjeje në lidhje me propozimin e senatorit McConnell, thotë VOA.
Demokratët kontrollojnë Senatin me epërsinë më të ngushtë të mundshme, duke u mbështetur në votën e zevendespresidentes Kamala Harris për të kapërcyer ndarjen në mënyrë të barabartë të votave 50-50, dhe gjithashtu kanë nevojë për bashkëpunimin e republikanëve për të çuar përpara shumë elemente të axhendës së Presidentit Biden, si dhe për të konfirmuar emërimet për Kabinetin e tij.
Top Channel