Guvernatori Sejko pret në takim Ambasadorin e ri të OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco: Vlerësohet puna e bërë nga BSH

22/01/2021 14:35

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e ri të OSBE-së në vendin tonë, Sh.T.Z. Vincenzo Del Monaco, i cili mori detyrën si Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në datë 16 nëntor 2020.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin Del Monaco me zhvillimet financiare në vend, ku në krye të bisedës ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe efektet e saj në ekonominë shqiptare.

Guvernatori u shpreh se si pasojë e masave të kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë, ekonomia shqiptare gjatë vitit 2020 shënoi një rënie, por falë kontributit të Bankës së Shqipërisë dhe politikave të mirëkoordinuara makroekonomike, pritet që aktiviteti ekonomik të rikuperohet gradualisht gjatë vitit 2021.

Në vijim, Guvernatori prezantoi gjendjen e sektorit bankar në vend, duke theksuar se ky sistem është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit dhe shëndetit financiar. Ky sektor ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.

Guvernatori Sejko e njohu Ambasadorin me masat e marra nga Banka e Shqipërisë për t’iu ardhur në ndihmë bankave dhe klientëve të tyre, si dhe për të minimizuar kostot e pandemisë Covid-19 në ekonominë e vendit, si ulja e normës bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5%, furnizimi me likuiditet i sistemit bankar duke hequr kufijtë sasiorë, eliminimi i kostove të operimit të sistemeve të pagesave elektronike, sigurimi i pandërprerë i ekonomisë me para fizike, shtyrja me dy tremujorë e pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi financiare, si dhe ndryshime të tjera rregullative.

Nga ana e tij, Ambasadori Del Monaco vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të zbatimit të reformave ekonomike, strukturore e sektoriale, dhe vlerësoi kontributin e rëndësishëm që po jepet në procesin e integrimit evropian të vendit, nëpërmjet përafrimit të kuadrit rregullator dhe praktikave të punës, me direktivat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.

Top Channel