Bashkëshortja e të ndjerit kërcënon me jetë prokurorin e çështjes për vrasjen e Arben Bilalit! Bajram Breçani për TCH: Është hera e tretë që ndodh!

22/01/2021 11:44

Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, Bajram Breçani është kërcënuar me jetë.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se ngjarja e paprecedentë ka ndodhur dje në orët e pasdites.

Mësohet se Prokurori ishte i ulur në një lokal përball shkollës ‘Harry Fultz’ në momentin që është kërcënuar. Po ashtu është zbuluar edhe identiteti i kërcënueses e cila është një grua me inicialet, M.B. Kjo e fundit mban detyrën e oficeres së Policisë dhe është gruaja e të ndjerit Arben Bilali.

Prokurori që është kërcënuar ka hetuar vrasjen e bashkëshortit të saj, Arben Bilalit. I dyshuar i kësaj vrasje ka qenë Gjergj Cukali, ku ndonëse prokurori e ka arrestuar për ngajrjen, Gjykata e Apelit i ka dhënë lirinë.

Gruaja e viktimës Bilali edhe pse vendimin e ka dhënë Gjykata e Apelit dhe ka liruar Cukalin, e  kërcënon për herë të tretë Prokurorin e çështjes.

I kontaktuar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Prokurori Bajram Breçani tha ” Kam njoftuar drejtuesit e policisë së shtetit Ardi Veliu, dhe zyrtarë të tjerë në lidhje me ngjarjen e ndodhur dhe pres prej tyre reagim ligjor. U kërcënova për shkak të detyrës dhe kjo është hera e tretë, për një çështje për të cilën vendimarrja ka qenë tërësisht e gjykatës.”

Si u vra Arben Bilali?

Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 janar të 2019. Të paktën 14 herë u qëllua mbi Arben Bilalin, me një armë automatike kallashnikov. Për shkak të plagëve të rënda të marra, ai ndërroi jetë në spital, ku u transportua nga persona që ndodheshin në vendin e ngjarjes.  Në vendin e ngjarjes, policia arriti të gjejë prova të mjaftueshme për të kuptuar dinamikën e atentatit. Përveç gëzhojave të shumta, ajo sekuestroi të gjitha pamjet filmike të bizneseve ku ndodhi ngjarja, e zbulon se atentatorët lëviznin me një automjet tip “Benz Mercedes”, me ngjyrë blu të errët dhe me targa të falsifikuara.

Autorët hapë zjarr, ndërsa viktima Bilali, i cili ka qenë një ish-punonjës policie, ishte në automjetin e tij “Hyundai”. Në atë moment kishte parkuar për të shkuar në një lokal në afërsi të vendngjarjes. Krimi ka ndodhur në të njëjtin vend, ku viktimës i kishin vrarë vëllain 9 vite më parë.

Si u arrestua dhe u lirua i dyshuari për vrasjen, Gjergj Cukali?

Pas 5 muajve hetimesh u arrestuar Gjergj Cukali i cili u akuzua për ekzekutimin e  ish-policit Arben Bilali. Hetimeve përmes metodave speciale të hetimit, Policia bëri të mundur zbulimin e të dyshuarit dhe arrestimin e tij.

Gjergj Cukali, një emër i njohur për Drejtësinë, për shkak të precedentëve të tij të mëparshëm penalë, si një person i dënuar për veprat penale prodhim dhe shitje e narkotikëve, armëmbajtje pa leje dhe rrëmbim personi.Vetëm katër muaj ka qëndruar në paraburgim i dyshuari si vrasës me pagesë i ish-policit, Arben Bilali. Ai është liruar. Gjergj Cukali, për të cilin policia dha një deklaratë të bujshme, ka fituar lirinë në heshtje të plotë nga Gjykata e Apelit të Tiranës . Për  shkak se Prokuroria deklaroi se kishte gjetur prova shkencore dhe se ADN e tradhtonte në mjetin ku u krye ekspertiza, me herët Gjykata e Tiranës i kishte çmuar të plota provat dhe e kishte lenë të dyshuarin në masën arrest me burg për akuzën e vrasjes me paramendim.

Por  ndryshe mendoni Gjykata e Apelit që siç duket nuk i ka konsideruar të mjaftueshme dhe i ka dhënë masën e detyrimit me paraqitje.

 

Top Channel