Projekti për ndërtimin e 75 shtëpive individuale e 7 pallateve nisi ditën e sotme zbatimin në Bubq të bashkisë Krujë.
“Kemi një kompleks të tërë ndërtimesh. Kemi avancuar gati në përfundim me infrastrukturën nëntokësore dhe jemi në fillesat e punimeve mbitokësore. Siç e shikoni, në krah të majtë kanë filluar sot pallatet. Do të jenë 7 pallate për 45 familje”, shpjegon ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, gjatë inspektimit që zhvilloi sot pasdite, në këtë zonë, Kryeministri Rama.
“Kjo do të jetë një nga sitet shembull të rindërtimit, të kombinimit të pallateve, njësive individuale komplekse, shkollës dhe gjithë shërbimeve administrative dhe jo vetëm, që do të ofrojë njësia përmes Bashkisë së Krujës”, thekson ministri Ahmetaj, i cili shton se sa i përket kompleksit të 75 njësive individuale ka përfunduar piketimi i pozicionit të tyre në terren.
Pjesë e projektit transformues, janë jo vetëm njësitë e banimit, por edhe objektet arsimore. Themelet e shkollës së re “Selman Daci” sapo kanë përfunduar dhe po hidhet pllaka e katit të pare. “Shkolla e mesme e bashkuar “Selman Daci” ka 19 ambiente, 12 klasa, 2 kopshte, 5 laboratorë në shërbim të nxënësve. Ajo do të mirëpresë 300 nxënës”, shpjegon kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Ndërsa ministri Ahmetaj njofton se sot ka përfunduar shkolla e parë nga ana e donatorëve.
Kryeministri Rama inspektoi të gjithë zonën ku do të shtrihet projekti dhe ku shtëpitë individuale janë parashikuar të mbarojnë brenda një periudhe 6-mujore.
Top Channel