Fermerë aplikoni deri më 25 shkurt për të marrë naftën që deri dje e paguanit me taksa, tashmë falas

21/01/2021 17:12

Nëse je një fermer, person fizik apo juridik i pajisur me NIPT fermeri aktiv dhe me pronësi toke mbi 0.4 HA, tashmë ke mundësi të bëhesh pjesë e skemës së mbështetjes me naftë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke aplikuar në e-Albania deri më 25 shkurt.

Çdo vit, me mijëra fermerë varen nga subvencionimi i kostove të prodhimit. Një zë i rëndësishëm i këtyre subvencioneve është edhe mbulimi i kostove të karburantit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka zhvilluar një skemë të dedikuar për mbështetjen me naftë, të paraqitur në një formë të thjeshtuar nëpërmjet e-Albania.

Nëpërmjet kësaj skeme, subvencionimi për karburantin arrihet në një përqindje të konsiderueshme, duke hequr taksën e qarkullimit, të karbonit dhe akcizën.

Aplikimi kryhet në faqen e e-Albania në disa hapa mjaft të thjeshtë.

Pasi aplikanti futet në e-Albania dhe identifikohet si “Biznes” ai duhet të zgjedhë shërbimin “Aplikim për skemën e naftës për bujqësinë”. Plotësimi i formularit elektronik kërkon të përcaktohet adresa ku gjendet toka bujqësore, e cila nuk duhet të jetë më pak se 0.4 Ha, me ngastra më shumë se 0.1 Ha. Sipërfaqja e parcelës duhet të korrespondojë me sipërfaqjen që ka kjo parcelë në dokumentat e pronësisë ose të përdorimit.
Çdo subjekt përfitues, duhet të provojë se ka tokë bujqësore në pronësi apo përdorim dhe duhet të vetëdeklarojë kulturat bujqësore të mbjella ose që parashikon të mbjellë sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit, mbi të cilat përcaktohet edhe sasia e naftës që përfiton aplikuesi.
Normativat e konsumit të naftës për punimet e mekanizuara dhe sasia e naftës që përfitohet falas nga çdo subjekt përfitues përcaktohen sipas kulturave bujqësore/grup kulturave dhe sipërfaqes që kultivohet.

Dokumentat që nevojiten për të patur një aplikim të saktë janë si më poshtë:
Për tokat në pronësi kërkohet Çertifikata e pronësisë, Kartela e Pasurisë, Harta Treguese dhe Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP).
Për tokat në përdorim nevojitet Akti i Marrjes së Tokës në Përdorim , Çertifikatë familjare e 1.8.1991, Marrëveshje dakordësie e shumicës së anetarëve të familjes bujqësore dhe Kontrata e huapërdorimit e noterizuar.

Për tokat e marra me qira nevojitet kontratë qiraje e noterizuar.

Megjithatë, ky institucion ka vendosur në dispozicion të të gjithë fermerëve aplikues Agropikat, zyrat e Agjencive të Ekstensionit Bujqësor dhe një numër kontakti falas 0800 83 83, për të asistuar çdo fermer në kryerjen e aplikimit.


Skema e mbështetjes me naftë është vetëm një nga mekanizmat që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po aplikon për të mbajtur sa më të lidhur fermerin shqiptar me tokën e tij, duke qendruar pranë tyre në çdo hap.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA