Dy operacione në tru e tragjedi personale/ Gati të inaugurohet Presidenti më i vjetër në SHBA

20/01/2021 10:05

Amerikanët mirëpresin sot një president të ri në Shtëpinë e Bardhë. Muajt e fundit janë shoqëruar me tensione e dhune pasi nuk janë të paktë zgjedhësit në vend që nuk e pranojnë fitoren e demokratit.

Tani megjithatë, Joe Biden është gati të inagurohet si Presidenti i 46-të amerikan. U deshën katër ditë, me rezultate të pasigurta të zgjedhjeve, që ai të mund të shpallte fitoren, kujton VOA. Donald Trump megjithatë e vendosi deri në fund në pikëpyetje triumfin e rivalit në zgjedhje.

Kjo i nxiti dhe trazirat në ndërtesën e Kongresit që sot i ngjan një fortese. Prania masive e policisë përfshin dhe 25.000 anëtarë të Gardës Kombëtare, ndërsa skena e inaugurimit është larg çdo spektatori. Ndryshe nga Trump, që ishte një biznesmen para se të merrte detyrën, Biden është një politikan me përvojë. Ai është në skenën politike prej gati gjysmë shekulli. Shërbeu për dy mandate si zëvendëspresidenti i Barak Obamës, e përpara kësaj, votuesit e Delauerit e patën zgjedhur gjashtë herë në senatin amerikan. Një muaj pas zgjedhjes së tij për herë të parë, gruaja dhe vajza e tij humbën jetën në një aksident me makinë që la dy djemtë e tij të vegjël të plagosur rëndë.

Biden ka bërë dy operacione në tru për shkak të aneurizmit. Në vitin 2015, kur ishte nënpresident, djali i tij i madh Bo vdiq nga kanceri në tru.  Tani në moshën 78 vjeç, presidenti më i vjetër i zgjedhur ndonjëherë, po përgatitet për sfidën e tij më të vështirë politike – udhëheqjen e një vendi të ndarë drejt së ardhmes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA